Kryesia e Kuvendit, Foto: Kuvendi i Kosovës

Mblidhet Kryesia, Kuvendi pritet të kërkojë mendim nga Qeveria në detyrë për tri nisma ligjore

Kryesia e Kuvendit të Kosovës, do të mblidhet sot (e enjte) në orën 14:00.

Në këtë mbledhje, pritet të shqyrtohen pika të rendit të ditës, përkatësisht procedimi për në qeverinë në detyre, të tri nismave ligjore.

Sipas njoftimit të legjislativit, këto nisma ligjore kanë të bëjnë me: 1.1.Projektligji për parandalimin dhe luftimin e Pandemisë COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës; 1.2.Projektligji për masat e përkohshme për ta lehtësuar efektin e Pandemisë “COVID 19”; 1.3.Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr. 03/L-048 për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë, i plotësuar dhe i ndryshuar me Ligjin nr. 03/L-221, me Ligjin nr. 04/L-116, me Ligjin 04/L-194, me Ligjin 05/L-063, dhe me Ligjin 05/L-007.

Sa i përket nismës së parë ligjore, dje kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, e përkrahur nga deputetët nënshkrues, ka proceduar nismën legjislative për Projektligjin për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës.

Ndërkaq, Kuvendi i Kosovës ka njoftuar se për shkak të situatës pandemike dhe masave për parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19, mbledhja e kryesisë do të mbahet pa prezencën e mediave.

“Pas mbledhjes, mediat dhe publiku do të njihen me vendimet e Kryesisë, nëpërmjet komunikatës”, thuhet në njoftim.