Hoti: Rruga Deçan-Plavë do të ndërtohet pa u ndikuar nga ‘zhurmat televizive’

Kryeministri i vendit, Avdullah Hoti ka njoftuar se rruga Deçan-Plavë do të ndërtohet duke respektuar ligjet e shtetit të Kosovës.

Sipas Hotit këto punime nuk do të ndikohen nga ‘zhurmat nëpër studio televizive’.

“Pa u ndikuar nga zhurmat nëpër studio televizive, ne do ta ndërtojmë rrugën Deçan-Plavë në bashkëpunim të ngushtë me Deçanin dhe të gjitha institucionet e tjera kompetente, duke respektuar ligjet e shtetit të Kosovës. Zhurma nuk është zgjidhje për shqetësimet e qytetarëve tanë, por puna, angazhimi dhe respektimi i normave ligjore dhe kushtetuese”, ka shkruar Hoti në facebook.

Dje Kryeministri i Qeverisë së Kosovës, Avdullah Hoti, ka kërkuar që të pezullohen punimet në rrugën R108, e cila, në një pjesë të saj, e prek zonën e veçantë të mbrojtur të Manastirit të Deçanit.

Sipas një komunikate, kryeministri Hoti e vlerëson rëndësinë jetike që ka kjo rrugë për qytetarët e kësaj ane dhe përtej saj, megjithatë duhet respektuar legjislacioni në fuqi i miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, si dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Ndaj këtij vendimi ka reaguar Lëvizja Vetëvendosje të cilët kanë thënë se presidenti serb Aleksandar Vuçiq bën kërkesa e kryeministri i Kosovës me partnerët e tij i zbaton.

Në anën tjetër historianët e Deçanit janë shprehur kundër ndërprerjes së punimeve për ndërtimin e rrugës Deçan- Plavë, e cila kalon nëpër Zonën e Mbrojtur të Manastirit të Deçanit.