Avdullah Hoti. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Hoti, i bindur: Më 14 shkurt, ne do jemi fitues

Kryeministri në detyrë i Kosovës dhe kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar qeverie, Avdullah Hoti tha se janë gati t’i kthehen normalitetit në ekonomi dhe biznes, në një vizitë që e bëri në kompaninë “Gjirafa”.

Ai tha se në ditën e parë të fillimit të fushatës zgjodhi të vizitojë këtë kompani për të dhënë mesazhin se ky sektor në mbështetje të ekonomisë është ndër prioritetet e tyre kryesore.

Hoti tutje shtoi se është i bindur në fitoren e LDK-së.

“Unë jam i bindur që me 14 shkurt ne do jemi fitues. E kemi programin më të mirë, pa asnjë diskutim. Nuk kemi njerëz të panjohur që qytetarët që t’i bëjmë të mendojnë a të eksperimentojnë me këta njerëz apo jo. Ne kemi menaxhuar shtetin në momentet më të vështira në 20 vitet e fundit dhe kemi lënë gjurmë edhe në menaxhimin e pandemisë edhe në rimëkëmbje ekonomike edhe në vendime të rëndësishme në arenën ndërkombëtare”, tha ai.

Të mërkurën në Kosovë ka nisur zyrtarisht fushata zgjedhore, e cila do të zgjasë deri më 12 shkurt.