I akuzuari për përgatitjen e sulmeve terroriste ndaj komunitetit LGBTI ballafaqohet me transkriptet e bisedave telefonike

I akuzuar për përgatitjen e sulmeve terroriste ndaj komunitetit LGBTI dhe në pikën kufitare në Merdarë, B. V. u ul sërish në bankën e të akuzuarve në Gjykatën e Prishtinës për t`u përballur me këto akuza.

Në seancën e sotme i akuzuari vazhdoi me dhënien e mbrojtjes të cilën e kishte nisur në seancën e 30 janarit 2024 të këtij viti.

Kështu ai u përgjigj në pyetjet e trupit gjykues të kryesuar nga gjyqtarja Valona Musliu Selimaj, me anëtarët Musa Konxheli e Vesel Ismaili.

Kryetarja e trupit gjykues të akuzuarin e ballafaqoi me transkriptet e thirrjes telefonike mes të akuzuarit dhe një personi i njohur si “Al Muhaxheri”, të nxjerra nga autoritetet franceze.

Sipas gjyqtares, në këto biseda telefonike thuhet se i akuzuari në farmacitë franceze ka kërkuar substancën nitrat de kalcium. Lidhur me këtë i akuzuari u përgjigj se “nëse kam thënë aty në bisedë, atëherë e kam kërkuar”.

Përveç kësaj, gjyqtarja e ballafaqoi edhe me disa fotografi që janë pjesë e shkresave të lëndës, fotografi këto të cilat i akuzuari ia ka dërguar personit të lartcekur.

Harta e sheshit të Prishtinës ishte ajo se çka shihej në këtë fotografi lidhur me të cilën gjyqtarja Selimaj e pyeti se çfarë ka dashur të thotë.

“Veç prej kureshtjes, gjatë gjithë bisedës Muhaxhiri ka insistu me m’nxitë që unë a jam i gatshëm me kry një sulm… ka insistu disa herë deri sa i thashë po dhe në Google i kam marrë këto dy fotografi”- tha i akuzuari.

Kryetarja e trupit gjykues e ballafaqoi edhe me një segment të bisedës së tij me personin në fjalë, ku i akuzuari kishte pranuar se kishte blerë “epson” dhe “eritriton”, gjë të cilën e pohoi i akuzuari.

Tutje, gjyqtarja Selimaj e pyeti edhe lidhur me personin me nofkën “Zavi”.

Sipas dosjes së Prokurorisë i akuzuari për të njëjtin kishte titruar video të organizatës terroriste “ISIS” në gjuhën shqipe. Mirëpo këto pretendime i akuzuari i mohoi.

Në fund, i akuzuari deklaroi se është i pafajshëm dhe se si praktikues i fesë mëson të ndalohet nga e keqja.

“Unë i hedhë poshtë pretendimet e Prokurorisë dhe jam plotësisht i pafajshëm sepse nuk kam pas, nuk kam dhe kurrë nuk do të kem qëllim të sulmoj këdo qoftë në Kosovë ose jashtë Kosovës… si një praktikues fetar feja më mëson që ne duhet të ndalojmë nga e keqja dhe të këshillojmë për të mirën”- tha i akuzuari para trupit gjykues.

Në seancën e sotme, 12.02.2024, mbrojtja e të akuzuarit me avokatin Arben Krasniqi i propozoi gjykatës që të akuzuarit t`ia ndërpresë masën e paraburgimit, por gjykata këtë propozim e refuzoi.

Seanca e radhës u caktua të mbahet më datë 26.02.2024.

B. V. po akuzohet se ka bërë përgatitjen e sulmeve terroriste në Kosovë përmes materialeve të rrezikshme e vdekjeprurëse në kombinim me “Nitrat de Calcium” në sheshin e Prishtinës ndaj pjesëtarëve të komunitetit LGBTI si dhe në pikën kufitare në Merdarë.

Sipas aktakuzës, i njëjti me rastin e udhëtimit nga Arabia Saudite për në Kosovë përmes aeroportit të Shkupit, pasi ishte pjesë e Stop Listës ishte ndaluar dhe kontrolluar në pikën kufitare “Hani i Elezit”, me ç’rast i janë gjetur mesazhe dhe harta të pranuara përmes rrjetit social “Telegram”.

Vrajolli ishte arrestuar më datë 21.02.2023, ndërsa aktakuza e Prokurorisë Speciale ndaj tij ishte ngritur më 15.09.2023.

Këtë rast po e gjykon gjyqtarja e departamentit special Valbona Musliu- Selimaj ndërsa aktakuzën po e përfaqëson prokurori Special Afrim Shefkiu.

Lajmet e KALLXO lidhur me këtë rast mund t`i lexoni duke klikuar në LINK

(Shënim: Emri i të akuzuarit në seancën e sotme është kërkuar nga gjyaktësja Valbona Musliu- Selimaj që të mos publikohet i plotë, vetëm me inicialet e të akuzuarit)