Apeli liron të akuzuarin për terrorizëm
Gjykata e Apelit e ka liruar nga akuza Ardian Gjurajn, i akuzuar për vepra penale që lidhen me terrorizëm.
Gjykata e shkallës së dytë pas shqyrtimit të ankesave të mbrojtësit të të akuzuarit, avokati Ali Beka, si dhe Prokurorisë Speciale ka vendosur që ta ndryshoj aktgjykimin e Gjykatës së shkallës së parë e cila Gjurajn e kishe gjetur fajtor dhe e kishte dënuar me një vit e pesë muaj burgim nën akuzën se kishte kryer vepra penale që lidhen me terrorizëm.
Lajmin për KALLXO.com e ka bërë të ditur mbrojtësi i të akuzuarit Ardian Gjuraj, avokati Ali Beka, i cili tha se Gjykata e Apelit e ka aprovuar ankesën e mbrojtjes e cila kishte kërkuar lirimin e Ardian Gjurajt.
Avokati Beka deklaroi se në aktgjykimin e Gjykatës së Apelit e cila e ka rrëzuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, thuhet se me asnjë provë nuk është arritur të vërtetohet se në veprimet e të mbrojturit të tij ka pasur elemente të veprës penale për të cilën akuzohej Ardian Gjuraj, prandaj të njëjtin e ka liruar nga akuza.
Ndonëse Gjykata Themelore në Prishtinë në shkurt të këtij viti kishte shpallur aktgjykimin me anë të të cilit Ardian Gjurajn e kishte gjetur fajtor dhe e kishte dënuar me një vit e pesë muaj burgim, i njëjti nuk ka qenë i detyruar ta mbaj dënimin me burgim për arsye se ai kishte qëndruar në paraburgim që nga data 5 shtator 2016 e deri me datën 12 shkurt 2018, duke tejkaluar kështu shtatë ditë më tepër sesa dënimi i shqiptuar.
https://kallxo.com/ardian-gjuraj-denohet-per-akuzat-qe-lidhen-me-terrorizem/
Sipas aktakuzës, Ardian Gjuraj gjatë viteve 2014-2015 duke jetuar në Gjermani është bërë përkrahës i ideologjisë së organizatës terroriste- ekstremiste ISIS.
Babai i tij, Kujtim Qerkini, e kishte paraqitur në polici Gjurajn, ndërsa Policia e Gjermanisë e kishte deportuar atë në Kosovë më 18 prill 2015.
Por, gjithnjë sipas aktakuzës, në dhjetor të 2015-ës Gjuraj kishte udhëtuar me grupin e organizatës “Liza-R” drejt Turqisë. Në këtë shtet ai ishte ndarë nga grupi, ndërsa kishte vazhduar rrugën drejt Sirisë, ku u ishte bashkuar grupit të kosovarëve pjesëtarë të ISIS-it.
Në aktakuzë thuhej se Gjuraj ishte arrestuar nga autoritete turke më 25 shkurt 2016, pasi kishte kaluar ilegalisht kufirin Siri-Turqi, duke u futur në territorin e shtetit turk.
Aktakuza sqaron se autoriteteve turke që e arrestuan Gjuraj u ishte paraqitur si shtetas i Rusisë me emrin Ashab Arsayev, ndërsa më 5 shtator 2016 ishte deportuar në Kosovë.
Gjuraj nga Prokuroria akuzohej për veprën penale bashkimi apo pjesëmarrja në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose parapolicore, në organizimet grupore apo individualisht jashtë territorit të Republikës së Kosovës.