Historia e terminalit doganor në Han të Elezit

Një kontest mes një operatorit ekonomik në Han të Elezit dhe Qeverisë së Kosovës, përkatësisht Ministrisë së Infrastrukturës ka nisur që nga viti 2014, kur shteti ndërhyri në një pronë që ishte në posedim të privatizuesit.

Kjo pronë ndodhet në afërsi të pikës kufitare me Han të Elezit. Aty transportuesit e mallrave që nga viti 2010 deri në 2014 kishin paguar një taksë në vlerë 40 euro për kalim tranzit pasi prona ishte e privatizuar nga “Terminali” Sh.p.k e ku pikërisht aty ndodhej edhe një terminal doganor.

Kompania “Terminali” e kishte privatizuar pronën në valën e 40-të në vitin 2010 nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP). Bazë kontratës, privatizuesi duhej të vazhdonte funksiononte si terminal ashtu siç e kishte blerë.

Në vitin 2014, Ministria e Infrastrukturës ndërhyri duke krijuar një rrugë që maunët të kalojnë për zhdoganim në cilindo terminal që duan.

Asokohe, lindi një kontest në mes të privatizuesit dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit.

 

“Terminali” Sh.p.k. në vitin 2014 kishte paditur Ministrinë për pengim në posedimin e pronës.

Në këtë padi përshkruhej se Ministria e Infrastrukturës pa përfillur rregulla i kishte larguar barrierat dhe i kishte marrë në posedim me dhunë atë pjesë të rrethojave, për zgjerim të rrugës pa pëlqimin e ndërmarrjes.

Gjykata e Ferizajt i kishte dhënë të drejtë ndërmarrjes dhe kishte konstatuar se Ministria e kishte penguar paditësin në posedimin e pronës së tij. Me këtë vendim, e kishte urdhëruar Ministrinë që ta kthente gjendjen sikurse ka qenë.

Vendimi i tillë ishte aprovuar edhe nga Gjykata e Apelit, e cila i kishte refuzuar ankesat e institucionit publik. Lidhur me këtë çështje kishte vendosur edhe Gjykata Supreme.

Instanca më e lartë gjyqësore në vend e kishte hedhur si të palejuar revizionin (kundërshtimet e Ministrisë) me konstatime se në këto çështje nuk lejohet ushtrimi i këtij mjeti juridik.

Pasi kishin vendosur të tri instancat gjyqësore, ndërmarrja kishte kërkuar zbatimin e vendimeve, me ç’rast përmbaruesi privat më 13 tetor të 2021 e urdhëroi  Ministrinë që t’i zbatojë vendimet e gjyqësore.

“Në vitin 2009-2010, AKP e ka shpallë një tender për privatizimin e terminalit në Han të Elezit. Edhe kjo pikë pra u shit si terminal doganor. Nuk është shit si fabrikë . Ne kemi marrë pjesë në privatizim edhe kemi qenë më të shtrenjtit që kemi pagu, e kemi blerë 9 milionë euro. Pavarësisht se ka pasur konkurrenta tonë më lirë, na e kemi marrë më shtrejtë. Diku në muajin maj-prill, na u ka dhanë në posedim pra të viti 2010, edhe kemi fillu punën. Prej atëherë deri në vitin 2014, gjithcka ka qenë në rregull”, thotë drejtori i “Terminali” Sh.p.k, Xhevdet Bajramaliu në një intervistë për KALLXO Përnime.

Diku në vitin 2014,  Ministria  e Infrastrukturës pa asnjë vëndim parapraksht, përreth terminalit ka hap një rrugë të re që nuk ka pas rrugë aty edhe të pika, i ka prek edhe parcelat që ne i kemi në posedim që na u kanë dhanë në posedim gjatë privatizimit kur ka ndodhë. Pjesa ku është bë rruga, aty nuk ka qenë rrugë, ka qenë parcelë, edhe prej vitit 2014 deri në vitin 2021 e kemi pasur rastin në Gjykatë dhe në tri instancat më të larta e kemi fitu gjyqin”, shtoi ai.

Më 21 tetor 2021, përmes një përmbaruesi privat, rrethojat u vendosën. Maunët që hynin tranzit paguanin një taksë në prej 40 eurove, e në disa raste në bazë marrëveshjes, edhe më lirë.

Mirëpo, më 7 shkurt 2022, Ministria e Infrastrukturës njoftoi se kanë ndërhyrë sërish.

Kësaj radhe thanë se larguan barrierat metalike që ishin të vendosura në një rrugë përgjatë terminalit doganor e rrjedhimisht edhe lirimin e pagesës së kësaj takse.

Në KALLXO.com transportuesit e mallrave raportuan menjëherë duke thënë se në pjesën ku intervenuan autoritetet shtetërore transportuesit thonë se nuk kishin paguar asnjëherë.

Kompania “Terminali” parashtroi kallëzim penal ndaj Ministrisë së Infrastrukturës për ndërhyrjen që bënë më 7 shkurt në pronën që posedojnë.

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) dhe Ministria e Infrastrukturës nën asistencën e Policisë kanë ndërhyrë në largimin e barrierave në pronën në afërsi të pikës kufitare të Hanit të Elezit. Në atë pronë të privatizuar nga kompania “Terminali” Sh.P.K,  transportuesit e mallrave që hynin tranzit në Kosovë, paguanin një taksë në vlerë deri 40 euro.

AKP në një përgjigje për KALLXO Pernime ka deklaruar se pronar i vetëm i parcelave kadastrale sipas çertifikatës së pronësisë është ndërmarrja shoqërore PMN Sharr, konkretisht prona është e evidentuar nga njësitë e saj.

“Agjencia Kosovare e Privatizimit i ka shqyrtuar dokumentet në vijim: dhe në bazë të këtyre aktvendimeve të gjykatave, në asnjë pjesë të dispozitivit e as të arsyetimit të aktvendimeve nuk kontestohet e drejta pronësore e NSh PMN Sharr si pronare e parcelave: 355-1; 356 dhe 354-2 dhe Agjencisë Kosovare të Privatizimit si institucion përgjegjës për administrimin e këtyre pronave shoqërore. E drejta e pronës është e garantuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës si dhe me ligj. Prandaj, pronar i vetëm i parcelave kadastrale sipas çertifikatës së pronësisë është ndërmarrja shoqërore PMN Sharr, konkretisht prona është e evidentuar nga njësitë e saj (P.Sh Fabrika e Çimentos Sharr).

“Meqenëse rrethojat metalike dhe barrierat e betonit janë vendosur pa lejen e AKP-së si administrator e NSh-ve apo NSh PMN Sharr si pronare e këtyre parcelave, atëherë kemi kërkuar që në këto parcela të mos ketë asnjë bllokim dhe të largohen të gjitha mjetet e vendosura përgjatë këtyre parcelave”, thuhet në përgjigjen me shkrim të AKP-së.

Në anën tjetër, në këtë reportazh transmetohet edhe deklarata e ministrit të Infrastrukturës Liburn Aliu i cili deklaroi se do të shpronësohet prona në këtë pjesë, por sipas tij, do shpronësohen pronat që janë në menaxhim të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) në afërsi të pikës kufitare në Han të Elezit.

“Kemi kuptu që i gjithë territori, zona në fjalë, përbëhet nga parcela të cilat janë në menaxhim të AKP-së dhe dhe janë parcela të privatizuara, por që edhe në rastin kur parcelat janë të privatizuara, prapë se prapë pronari i ri nuk ka të drejtë që të bllokojë rrugën. Po ashtu nuk ka të drejtë as të bëjë bllokimin e rrugëve në pronat që menaxhohen nga AKP, sepse janë në pronësi të tyre. Këtu e kemi kuptu që pengesat kanë qenë të vendosura në pronësi të privatizuar kanë qenë në pronësi të cilat menaxhohen nga AKP”, u shpreh ai në një konferencë për media.

“Rrjedhimisht operatori privat nuk mund të ketë të drejtën që të vendos pengesa fizike në pronë të dikujt tjetër, madje as nuk kanë të drejtën as në pronën që është e privatizuar nga ai, sepse në marrëveshjen e privatizimit, ajo e drejtë e bllokimit të rrugës nuk i lejohet dhe kësisoji janë marrë vendimet e para, zhbllokimi dhe dje kemi marrë vendim që të bëjmë shpronësimin e pronave që janë aktualisht në menaxhim të AKP-së”, tha Aliu më datën 10.03.2022.

Ndërkaq, Kompania pretendon se parcelat me numër 354-1 , 356, 355-1, 353-1, 351-1, 354-2,352-1, 351-3 janë parcelat që Terminali Sh.p.k thotë se i kanë në posedim dhe që në to, Ministria e Infrastrukturës në vitin 2014 kishte ndërtuar një rrugë.

E krejt në fund, reportazhi tregon se nga data 3 mars 2022, maunët nuk janë duke paguar taksën obligative në këtë pikë.

“Prej datës 4 të këtij muaji,  zyrtarët e AKP-së bashkë me Policinë kanë bërë një zhbllokim të rrugës. Rrugë e cila ka qenë e mbyllur nga data 21 tetor i vitit të kaluar. Ku me mbylljen e kësaj rruge, detyrimisht të gjitha maunët qoftë ato që i kanë kry procedurat e zhdoganimit në Han të Elezit, qoftë ato që kanë shkuar tranzit në zyra të tjera, janë detyruar që të paguajnë një taksë për kalim përmes kësaj rruge. Nga data 4 03 kur është zhbllokuar rruga, maunët mund të kalojnë tranzit”, shprehet Sakibe Nuredini, udhëheqëse e zyrës doganore në Han të Elezit.