Historia e gjatë e Joe Biden në Ukrainë

Ishte vetëm çështje kohe para se Joe Biden ta bënte një vizitë ‘surprizë’ në Kiev. Në përvjetorin e parë nga sulmi ushtarak rus në Ukrainë, shëtitja koreografike me Volodymyr Zelenskyn është bërë fotografia që duhet bërë për liderët botërorë perëndimorë. Është ekuivalenti i shekullit të 21-të i një auditori me Papën – një lajm simbolik që ndodh e që nuk e shkon askënd.

Kjo vizitë nuk do të thotë se nuk është e rëndësishme. Kjo vizitë sinjalizon, përsëri, se Amerika – lojtari më i fuqishëm ushtarak dhe financiar në planetin tokë – qëndron fort pas Zelenskyt dhe përpjekjeve të tij për ta zmbrapsur pushtimin rus. Biden mund të mos jetë, në këtë moment, i gatshëm të sigurojë avionët që ukrainasit janë aq të etur për t’i marrë, por, në konferencën e tij për shtyp me udhëheqësin ukrainas, ai e bëri publik lajmin për ‘gjysmë miliardë dollarët e tjerë … që do të vijnë për ukrainasit”. Është gjithashtu një deklaratë e qartë për Pekinin zyrtar për përpjekjet e raportuara të tij për ta ndërmjetësuar një marrëveshje paqeje.  

Mediat do të fokusohen në këto pika. Por ia vlen gjithashtu të reflektohet për një vizitë tjetër më pak të profilit të lartë që Joe Biden e bëri në Ukrainë pothuajse saktësisht nëntë vjet më parë – me aeroplanin ‘Air Force Two’ jo me ‘Air Force One’, në vitin 2014 kur ai ishte Zëvendës President dhe Barack Obama e kishte vënë atë në krye të trajtimit të ‘Revolucioni të Maidanit’. Në atë kohë, ai kishte një paketë ndihme më modeste prej 58 milionë dollarësh për të ofruar – si dhe një paralajmërim të ashpër për ta ‘luftuar kancerin e korrupsionit’.

Kishte më shumë se një erë hipokrizie në ato fjalë pasi në atë kohë Biden po e tërhiqte vëmendjen ndaj Hunter Biden, djalit të tij. Hunter, një i varur nga droga, atëherë paguhej në mënyrë qesharake për të punuar për ‘Burisma’, një kompani minerare e drejtuar nga oligarku ukrainas Mykola Zlochevsky, një ‘fëmijë poster për korrupsionin’, sipas një zyrtari të lartë të Departamentit të Shtetit.

Në publik, Shtëpia e Bardhë dhe zyra e Zëvendës Presidentit mbrojtën pozicionin e Hunter: “Hunter Biden është një qytetar privat dhe një avokat”, pati deklaruar atëherë një zëdhënëse e Biden. “Zëvendëspresidenti nuk mbështet asnjë kompani të caktuar dhe nuk ka asnjë përfshirje me këtë kompani”.

Prapa skenave, megjithatë, siç tregon Ben Schreckinger në librin e tij ‘The Bidens: Inside the First Family’s Fifty-year Rise to Power’: Ndihmësit e Joe Biden ishin të shqetësuar nga marrëveshja, por ata nuk e ngritën çështjen me të sepse kishin frikë se mos ai i u bërtiste apo mos ua lëndonte atyre ndjenjat’.

Në kujtimet e tij të titulluara mrekullisht, “Beautiful Things“, Hunter Biden këmbëngul se, edhe pse mbiemri i tij ishte një ‘kredencial i lakmuar’, ai ishte mjaft i kualifikuar për postin prej 1 milion dollarësh në vit në Burisma. Babai telefonoi dhe tha: “Shpresoj se e di se çfarë po bën”, duke dashur të sigurohej që kisha bërë kujdesin e duhur… E sigurova se e kisha bërë.

Joe Biden njëherë u mburr se u kishte thënë ukrainasve se ata duhet ta shkarkonin prokurorin e tyre të përgjithshëm Viktor Shokin, i cili mund ose nuk mund të ketë qenë duke e hetuar ‘Burisma’. 

Historia e ‘Ukrainegate’ ishte burimi i shkarkimit të parë të Donald Trump. Rudy Giuliani, duke vepruar në cilësinë e zotit Legal-Fix-It të Trump-it, bëri disa gërmime në biznesin Biden-Ukrainë. Aktivitetet e Giulianit (duke përdorur informatorë të lidhur me Rusinë) çuan në ofertën e pretenduar ‘quid pro quo’ të Trump për presidentin e ri të atëhershëm Zelensky, kur presidenti i 45-të sugjeroi që përmbushja e një premtimi për ndihmën ushtarake të SHBA-së mund të kushtëzohej me atë që Zelensky ta nxirrte informacionin e duhur ndëshkues për Bidenët.

Përpjekjet e rrëmujshme të Giulianit – dhe shkarkimi i mëvonshëm i Trump – nënkuptojnë se sot çdo dyshim për Bidenin në lidhje me Ukrainën priret të cilësohet si ‘dezinformim rus’. Mirëpo cenueshmëria politike e Bidenit në këtë çështje duhet të jetë shumë e dukshme për t’u injoruar. Mendjet kërkuese mund të pyesin nëse Biden dhe Zelensky e diskutuan ‘Ukraingate’ edhe në takimin e djeshëm dhe, nëse po, si shkoi ajo bisedë.

Është gjithashtu rasti i jashtëzakonshëm i John Hynansky, biznesmeni ukrainas-amerikan në Delaware, të cilin Biden në vitin 2009 e quajti ‘miku im shumë i mirë’. Pas krizës në Ukrainë të vitit 2014, vëllai i Joe Biden, Jim dhe gruaja e tij Sara morën 900,000 dollarë kredi të lidhura me një entitet të kontrolluar nga Hynansky. A është rastësi që, nga viti 2009 deri në 2012, kompania e Hynansky-t, Winner Automotive Group, mori më shumë se 20 milionë dollarë nga Grupi i Investimeve Private Overseas, një organ federal që jep kredi ndërkombëtare për zhvillim?

Askush nuk e di. Në mjegullnajën e luftës në Ukrainë, pyetje të tilla duket se avullohen./The Spectator

Përgatiti: Nuhi Shala