Hezbollah hedh raketa drejt një baze izraelite

Grupi Hezbollah tha se lëshoi më shumë se 60 raketa ndaj një baze ushtarake izraelite të shtunën. Sulmi ishte “fillimi i një kundërpërgjigjeje” ndaj vrasjes së një prej udhëheqësve të saj, Saleh al-Arouri, në fillim të javës, tha organizata me bazë në Liban përmes një deklarate.

Hezbollahu beson se Izraeli është përgjegjës për sulmin që vrau Arourin, por Izraeli nuk e ka marrë përgjegjësinë. Të premten, udhëheqësi i milicisë libaneze tha se grupi i tij duhet të hakmerret për sulmin.

“Ne nuk mund të heshtim para një shkeljeje kaq serioze”, tha Hassan Nasrallah, sipas agjencisë Associated Press. Ai tha se kostoja e mosveprimit është “shumë më e madhe” sesa rreziqet e kundërpërgjigjes.

Hamasi dhe zyrtarët e sigurisë në rajon ia atribuuan sulmin që vrau Saleh al-Arourin një droni izraelit, megjithëse Izraeli nuk e ka pranuar drejtpërdrejt përgjegjësinë.

Hezbollahu – që ashtu si edhe Hamasi, është një grup militant i mbështetur nga Irani i cilësuar si organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe të tjerë – ka hedhur raketa përgjatë kufirit verior të Izraelit që nga fillimi i luftës Izrael-Hamas në tetor.

Ushtria izraelite tha se goditi celulën e Hezbollahut që hodhi raketat.

Sulmet ajrore izraelite në Libanin jugor goditën në periferi të fshatit Kouthariyeh al-Siyad, rreth 40 kilometra brenda kufirit, tha Agjencia Kombëtare e Lajmeve e Libanit, duke shtuar se kishte pasur viktima.

Sulme të tilla në thellësi të Libanit kanë qenë të rralla që nga fillimi i luftimeve në vijën kufitare tre muaj më parë. Ushtria izraelite nuk ka reaguar.

Ndërkohë krahu i armatosur i Grupit Islamik në Liban, degë e Vëllazërisë Myslimane dhe një aleat i ngushtë i Hamasit, tha se goditi me dy raunde raketash drejt qytetit izraelit Kiryat Shmona të premten në mbrëmje. Dy nga anëtarët e grupit u vranë në sulmin që që kishte në shënjestët Arourin.

Izraeli sulmoi të shtunën herët qytetet jugore të Gazës, Rafah dhe Khan Yunis. Qindra mijëra palestinezë u evakuuan në Gazën jugore në përpjekje për të gjetur strehë nga luftimet, siç udhëzuan autoritetet izraelite, por luftimet janë shtrirë edhe atje.

Martin Griffiths, shefi i OKB-së për çështjet humanitare paralajmëroi të premten se i gjithë territori palestinez “është bërë i pabanueshëm”, pas tre muajsh luftimesh që kanë rezultuar në shkatërrimin e pjesës më të madhe të Gazës dhe kanë krijuar një katastrofë humanitare.

Lufta filloi pasi Hamasi i mbështetur nga Irani ndërmori një sulm terrorist në Izrael më 7 tetor, duke vrarë rreth 1200 vetë dhe mori peng rreth 240 të tjerë.
Disa nga pengjet janë liruar, por rreth 130 mbahen ende në Gazë. Përgjigjia e Izraelit ka shkaktuar vdekjen e më shumë se 22,600 palestinezëve, një pjesë e madhe e të cilëve gra dhe fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Gazës, të drejtuar nga Hamasi./VoA