Foto: KALLXO.com

Hetimet e para rreth grabitjes në Suharekë, një polic i plagosur, katër persona të dyshuar

Në grabitjen që ndodhi gjatë ditës së sotme në Suharekë, ku i plagosur mbeti një polic, dyshohet se u përfshinë katër persona të dyshuar.

Të njëjtit për momentin janë në arrati e po kërkohen nga Policia.

Në momentin që Policia arriti në vendin e ngjarjes, të dyshuarit, sipas togerit policor Shaqir Bytyqi, kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të zyrtarëve.

Si pasojë e kësaj, një zyrtar policor është plagosur dhe i njëjti ka marrë tretman mjekësor dhe është jashtë rrezikut për jetë.

KALLXO.com mëson nga burime brenda Policisë se të dyshuarit kanë qenë të armatosur me armë të gjata dhe kanë hyrë brenda një argjendarie në Suharekë.

Në anën tjetër, në një prononcim për KALLXO.com, drejtori i Policisë i Drejtorisë Rajonale të Prizrenit, Faton Alija, ka treguar nga vendi i ngjarjes zanafillën e nisjes së shkëmbimit të zjarrit mes Policisë dhe grupit të dyshuar të grabitësve.

“Kanë kryer plaçkitjen e një sasie të konsiderueshme ndërkohë aty është ndalë me intervenu një patrullë e Policisë. Ende pa dalë nga automjeti, të dyshuarit kanë shkrepur në drejtim të policëve”- tregoi për KALLXO.com drejtori Alija.

Tutje ai shtoi se në këtë ngjarje është plagosur një polic në këmbë.

“Ka lëndime të lehta. Policët i janë kundërpërgjigjur sulmit nga grupi i dyshuar. Të njëjtit janë larguar nga vendi i ngjarjes. Ajo çka dimë deri më tani është se vetura e dyshuar është me xhama të errët”- tha Alija.

Për shkak se tashmë të dyshuarit janë larguar nga vendi i ngjarjes, Policia në Prizren tashmë ka aktivizuar edhe “unazën e çeliktë”.

Kjo për të vendosur pika të ndryshme statike të Policisë të cilët mund të identifikojnë dhe arrijnë të lokalizojnë veturën dhe personat e dyshuar.

“Është aktivizuar ‘unaza e çeliktë’ në bazë të informacioneve që janë për veturën e dyshimtë. Janë krijuar disa pika kontrolli në vendet nga kanë mundur të shkojnë të dyshuarit…”- theksoi drejtori Faton Alija.