Haziri: Le ta harrojnë që mund t’i lidhin shamitë e kuqe në qafë të njerëzve

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri ka thumbuar dhe akuzuar politikisht Lëvizjen Vetëvendosje në një tubim elektoral në këtë komunë.

Haziri, duke mos përmendur emrin e LVV-së, ka thënë se “le ta harrojnë që shamitë e kuqe mund t’i lidhin në qafa të njerëzve”.

“Ky popull shpresat i ka në zhvillim e jo në rrënim. Ky popull shpresat i ka në prosperitet e jo në kthim mbrapa dhe i ka në betim e në flamur e në komb, e jo në ideologji e në shamia të kuqe që po i lidhin për drunj dhe për trupa të pemëve. Le ta harrojnë që munden me i lidhë në qafa të njerëzve”, tha ai.

Nënkryetari i LDK-së, tha se marsheve po u mungon kënga e partizanit.

“Jemi një familje politike për të punuar bashkërisht që të dielën e ditës së dashnisë, ta bëjmë ditë të paqes dhe dashnisë për popullin e Kosovës. Që ditën e bardhë të dielës mos ta kthejmë në ditë të errët dhe të mos lejojmë që ata që po marshojnë rrugëve dhe marshit të kuq të tyre po i mungon kënga e partizanit”, tha ai.

I pari i Gjilanit ironizoi me LVV-në edhe me shprehje popullore.

“Së paku me besu në legjenda, ata që e dinë, zana e maleve mund të bëjë diçka mrekulli brenda natës por mrekullinë e Zotit duhet nëntë muaj me prit për me u gëzu. Ne nuk mund të lejojmë që Republika jonë t’i nënshtrohet zanës së maleve, as thirrjeve për rithemelim sepse këto themele dhe kjo kala e Republikës së Kosovës është larë me gjak, jo me shamia, jo me këngë partizane”, tha ai.

Sot edhe kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka deklaruar se nuk është i sigurt nëse qytetari është i informuar se çfarë paraqesin shallet e kuqe të lidhura në drunjtë e Prishtinës, dhe jo vetëm aty, për të ardhmen e vendit.

Mustafa ka shkruar në Facebook se Lëvizja Vetëvendosje duhet të qartësojë se kush janë partnerët e saj.

Javën e kaluar shirita të kuq nëpër drunj dhe shtylla janë vendosur në Prishtinë dhe Prizren.