Haxhiu: Kosova është shtet unitar e jo multietnik, Lista Serbe s'e ka të drejtën e vetos
Nënkryetarja e Kuvendit nga radhët e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu ka deklaruar se Kosova nuk është shtet multietnik, por është shtet unitar.
“Së pari dua të theksoj se shteti ynë është unitar dhe jo multietnik. Ky model është rregullatori i Republikës sonë demokratike. Në shtetin tonë të pavarur në vitin 2008, asnjë grup minoritar nuk e ka të drejtën e vetos mbi Republikën tonë, as komuniteti serb apo komunitetet tjera”- tha Haxhiu në konferencë për media, teksa tregoi se kanë dërguar komentet në Gjykatën Kushtetuese në lidhje me kërkesën e Listës Serbe.
Ndërkaq, në nenin e parë të Kushtetutës, shteti i Kosovës përkufizohet si “Republika e Kosovës është shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm.”
Në nenin e tretë [Barazia para Ligjit], Kushtetuta thot se “Republika e Kosovës është shoqëri shumetnike, e përbërë nga shqiptarët dhe komunitetet tjera e cila qeveriset në mënyrë demokratike, me respektim të plotë të sundimit të ligjit, përmes institucioneve të veta legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore.”
Haxhiu tha se është e papranueshme që Lista Serbe që as nuk e njeh Republikën e Kosovës, t’i përdorë vendet e rezervuara për të bllokuar Kosovën.
Ajo shtoi se Kushtetuesja nuk e ka as kompetencë të gërmojë në themelet e Kushtetutës.
Haxhiu theksoi se kanë kërkuar nga Kushtetuesja që kërkesa e Listës Serbe të shpallet e papranueshme.
“Asnjë subjekt politik nuk mund të bllokojnë shtetin tonë”- tha ajo.
Haxhiu tha se Pakoja e Ahtisaarit mbi të cilën është shkruar Kushtetuta, ka dhënë vende të rezervuara për komunitetet joshumicë, e jo të drejtën e vetos.
Për votimin e nënkryetarëve, Haxhiu tha se ka pasur koncensus për nënkryetarët e shumicës, por në momentin kur ka përfunduar votimi i nënkryetarëve shqiptarë, deputeti Elbert Krasniqi ka kërkuar që mos të votohet në pako.
“Nuk ka pasur koncensus”- tha ajo.
Ndërsa në lidhje me formimin e Qeverisë, Haxhiu tha se e kanë pasur Këshillin e Vetëvendosjes, dhe LVV-ja veçse e ka votuar Albin Kurtin mandatar për Qeveri.
Ajo tha se kanë pasur ta dërgojnë emrin te Presidentja, por është vendosur masa e përkohshme nga Kushtetuesja dhe nuk kemi pasur të drejtë të vazhdojmë tutje.
“Për votat për Qeverinë, me PDK-në asesi, me LDK-në kemi provuar por nuk ka funksionuar… Mund të kemi diskutime me NISMA-n dhe ndonjë deputet tjetër që është e interesuar”- shtoi ajo.
Tutje, ajo tha se në aktgjykimin e fundit kanë pritur nga Kushtetuesja të tregojë se cilat janë pasojat nëse nuk konstituohet Kuvendi, por nuk e dinë “pse po ikin prej përgjegjësisë.”
Edhe nëse Kushtetuesja kthen çështjen e nënkryetarëve nga radhët e joshumicës në pikën zero, Haxhiu tha se nuk e votojnë Listën Serbe.
“Asnjërin nga deputetët e Listës Serbe nuk do i votojmë. Nuk ka Gjykatë që i thotë një partie që ta votojë me patjetër për dikë”- tha ajo, nëse kthehet procesi në pikën zero nga Kushtetuesja.
Më 05.09.2025, Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë të përkohshme deri më 30.09.2025, në lidhje me kërkesën e Listës Serbe për zgjedhjen e nënkryetarëve nga partitë joshumicë.
Seanca konstituive e Kuvendit u mbyll më 28.08.2025 nga kryetari Dimal Basha anipse nuk është zgjedhur nënkryetari nga radhët e partive të komunitetit serb.
Seanca konstituive ishte hapur më 15.04.2025.
Osmani shpreson në formimin e institucioneve të reja pas 30 shtatorit