Haxhi Shala

Haxhi Shala në Gjykatë Speciale - Si i përshkruan Prokuroria takimet me dëshmitarin 1?

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës dhe ish-eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Haxhi Shala, i njohur në luftë me pseudonimin “Topi” ka dalë sot para Gjykatës Speciale në Hagë.

Shala paraqitet për herë të parë të mërkurën për akuzat se në bashkëpunim me Sabit Januzin dhe Ismet Bahtijarin, ka tentuar të ndikojnë në një dëshmitar për të penguar dëshminë e tij në gjyqin e Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Në lidhje me këto pretendime Shala nuk është deklaruar sot rreth fajësisë.

“Nuk mund të deklarohem sot po e lë në seancën tjetër” – ka thënë Shala sot në seancën gjyëqsore.

Ndërkaq, seanca e dytë e konferencës mbi zhvillimet në çështjen e deklarimit të fajësisë do të përcaktohet në vijim.

Shala është informuar rreth pikave të akuzës, të drejtave të tij, procedurës së ndjekjes, kundërshtimit të provave dhe përbërjen e gjykatës.

Gjatë procedurës paraprake, gjykatësi Nicholas Guillou ka njoftuar se brenda 30 ditësh, Shala ka të drejtë të deklarohet në lidhje me fajësinë apo mos fajësinë dhe ka të drejtë të kundërshtojë masën e paraburgimit.

Më pas, Haxhi Shalës iu lexuan me gjerësisht pikat e akuzës që po ballafaqohet. Para fillimit të seancës, u zhvillua procedura për fotografimin e tij për një minutë e gjysmë, në përputhje me synimin për të siguruar transparencën dhe dokumentimin e ngjarjes.

Sipas aktakuzës, me udhëzim të Haxhi Shalës, Januzi dhe Bahtijari u takuan secili më vete me dëshmitarin 1 në dy raste për ta nxitur atë që të tërhiqte dëshminë, ose të mos jepte dëshmi përmes kërcënimit të rëndë apo premtimit për përfitime.

Aktakuza madje pretendon se dëshmitari ka thënë se nëse do t’i ofronin 200 mijë euro, ata do të arrinin një marrëveshje.

“Dëshmitari 1 u përgjigj se nëse Shala dhe/ose të tjerët i sjellin atij 200 mijë euro, ata do të kishin një marrëveshje. Dëshmitari 1 nuk e konfirmoi apo mohoi të qenit dëshmitar. Januzi tha se do t’u tregonte atyre atë që kishte thënë dëshmitari 1” – sqarohet në aktakuzën e publikuar.

Sipas Prokurorisë, Haxhi Shala akuzohet për: (I) frikësim dhe (II) tentativë me anë të kërcënimit të rëndë për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, individualisht dhe me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi.

Si i përshkruan Prokuroria takimet?

Aktakuza thotë se kontakti i parë mes palëve ka ndodhur më 5 prill, kur Haxhi Shala ka telefonuar Sabit Januzin dhe më pas Ismet Bahtijari po ashtu ka thirrur Januzin.

Më pas, sipas Prokurorisë, Bahtijari ka shkuar në shtëpinë e dëshmitarit dhe i ka thënë se Shala e ka dërguar për t’i thënë se ai duhet ta tërhiqte dëshminë e tij.

“Bahtijari u largua nga shtëpia e dëshmitarit dhe shkoi në një makinë aty pranë ku po prisnin dy burra, me një person të tretë në ulësen e shoferit” – thuhet më tej në aktakuzë.

Kjo, sipas Prokurorisë, ka bërë që dëshmitari të brengoset për sigurinë e familjes së tij.

Pas kësaj vizite, thuhet se Januzi kishte kontaktuar përmes telefonit ndaras me Shalën dhe Bahtijarin për të koordinuar një takim personal në të njëjtën mbrëmje.

“Në ditët në vijim, Shala dhe Januzi, mes te tjerëve, qëndruan në kontakt, duke përfshirë lidhjen me telefon të paktën katër herë midis 6 prillit dhe 9 prillit 2023” – vazhdon aktakuza.

Kontakti i dytë, gjithmonë sipas Prokurorisë Speciale, ka ndodhur më 12 prill, kur Januzi pak pasi ka telefonuar Shalën, ka shkuar në shtëpinë e dëshmitarit.

“Januzi i tha atij se Shala i kishte kërkuar Januzit të vazhdonte vizitën e Bahtijarit dhe të zbulonte se çfarë kishte planifikuar të bënte Dëshmitari 1 dhe si mund të trajtohej çështja e dëshmisë së tij” – thuhet në aktakuzë.

Siç thuhet në aktakuzë, Januzi i kishte thënë dëshmitarit se mesazhi i Shalës është se nëse ai e tërheq dëshminë e tij atëherë Shala dhe persona të tjerë do t’i ofronin atij ndihmë.

“Dëshmitari 1 u përgjigj se nëse Shala dhe/ose të tjerët i sjellin atij 200 mijë euro, ata do të kishin një marrëveshje. Dëshmitari 1 nuk e konfirmoi apo mohoi të qenit dëshmitar. Januzi tha se do t’u tregonte atyre atë që kishte thënë Dëshmitari 1.” – thuhet në aktakuzë.

Menjëherë pas kësaj vizite, prokuroria pretendon se Januzi ka thirrur përsëri Shalën.

Si pasojë e këtij kontakti, prokuroria thotë se Dëshmitari 1 ishte edhe më tej i shqetësuar për sigurinë e tij dhe të familjes së tij.

Veprimet e fundit të Zyrës së Prokurorisë së Specializuar

Haxhi Shala u arrestua më 11 dhjetor dhe u transferua në Hagë më 12 dhjetor, si pjesë e vazhdimësisë së veprimeve të ZPS-së në kuadër të procesit hetimor, i cili fokusohet në veprat penale të lidhura me administrimin e drejtësisë.

Që nga fillimi i muajit nëntor, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kryer disa bastisje në Kosovë, duke përfshirë pronat e ish-këshilltarëve të Hashim Thaçit.

ZPS kishte njoftuar se operacionet janë zhvilluar në një proces hetimor në drejtim të veprave penale kundër administrimit të drejtësisë.

ZPS në njoftimin e saj të mëhershëm kishte deklaruar se do të hetojë dhe do të ndjekë penalisht të gjithë ata që i frikësojnë apo ndërhyjnë te dëshmitarët, ose “ofrojnë mbështetje financiare apo të ndonjë forme tjetër për vepra të tilla penale”.

Gjithashtu gjatë këtij viti, në Gjykatën Speciale janë intervistuar disa persona të cilëve u ishin konfiskuar telefonat, në mesin e tyre edhe ish-komandantin e Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa.