Haxhi Shala - Foto: Facebook

Detaje nga aktakuza, për çfarë akuzohet saktësisht Haxhi Shala?

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka publikuar aktakuzën (e redaktuar), e ngritur ndaj ish-eprorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe ish-deputetit Haxhi Shala, i cili është dërguar në Gjykatën Speciale.

Sipas aktakuzës së konfirmuar, Haxhi Shala akuzohet për: (i) frikësim; dhe (ii) tentativë me anë të kërcënimit të rëndë për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, individualisht dhe me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi.

Të gjitha krimet, sipas aktakuzës, kanë të bëjnë me procedurat zyrtare të Gjykatës Speciale, duke përfshirë edhe hetimet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Aty thuhet se është një person (Dëshmitari 1) që ka dhënë ose ka të ngjarë t’u japë informacione task-forcës speciale hetimore, ZPS-së dhe/ose çdo paneli të Gjykatës Speciale në lidhje me ndonjë krim ose shkelje që bie nën juridiksionin e kësaj gjykate.

Rreth pikës – Pengimi i personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, thuhet se Haxhi SHALA me kanosje të rëndë dhe me veprim të përbashkët të një grupi personash në të cilin ka marrë pjesë ka tentuar të pengojë personin zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare.

Sipas aktakuzës, midis së paku 5 prillit 2023 dhe 12 prillit 2023, Shala  në bashkëkryerje me individë të tjerë, ndër të cilët Sabit Januzi dhe Ismet Bahtijari, u bashkërenduan si grup para dhe pas kontakteve personale të Januzit dhe Bahtijarit me Dëshmitarin 1, dhe me udhëzim të Haxhi Shalës, Januzi dhe Bahtijari u takuan secili më vete me Dëshmitarin 1 në dy raste të veçanta për ta nxitur atë që të tërhiqte dëshminë, ose të mos jepte dëshmi në proceset zyrtare para Dhomave të Specializuara të Kosovës, ndër të cilat përmes kërcënimit të rëndë apo premtimit për përfitime.

Prokuroria pretendon se kjo sjellje e Shalës demonstron qëllimin e tij për të minuar dhe penguar një person zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare.

Kështu, Prokuroria pretendon se Haxhi Shala është një dekurajues i fortë për atë person dhe ka kërcënuar aftësinë e Gjykatës dhe Prokurorisë së Specializuar në Hagë për të hetuar dhe ndjekur penalisht krimet në mënyrë efektive, duke përfshirë marrjen dhe sigurimin e provave përkatëse të dëshmitarëve.

Me këto veprime, Shala akuzohet po ashtu se ka devijuar burimet dhe kohën e Prokurorisë për të adresuar pasojat aktuale dhe të mundshme për dëshmitarin dhe familjen e tij në lidhje me procedurat zyrtare të Gjykatës.

Si i përshkruan Prokuroria takimet?

Aktakuza thotë se kontakti i parë mes palëve ka ndodhur më 5 prill, kur Haxhi Shala ka telefonuar Sabit Januzin dhe më pas Ismet Bahtijari po ashtu ka thirrur Januzin.

Më pas, sipas Prokurorisë, Bahtijari ka shkuar në shtëpinë e dëshmitarit dhe i ka thënë se Shala e ka dërguar për t’i thënë se ai duhet ta tërhiqte dëshminë e tij.

“Bahtijari u largua nga shtëpia e dëshmitarit dhe shkoi në një makinë aty pranë ku po prisnin dy burra, me një person të tretë në ulësen e shoferit” – thuhet më tej në aktakuzë.

Kjo, sipas Prokurorisë, ka bërë që dëshmitari të brengoset për sigurinë e familjes së tij.

Pas kësaj vizite, thuhet se Januzi kishte kontaktuar përmes telefonit ndaras me Shalën dhe Bahtijarin për të koordinuar një takim personal në të njëjtën mbrëmje.

“Në ditët në vijim, Shala dhe Januzi, mes te tjerëve, qëndruan në kontakt, duke përfshirë lidhjen me telefon të paktën katër herë midis 6 prillit dhe 9 prillit 2023” – vazhdon aktakuza.

Kontakti i dytë, gjithmonë sipas Prokurorisë Speciale, ka ndodhur më 12 prill, kur Januzi pak pasi ka telefonuar Shalën, ka shkuar në shtëpinë e dëshmitarit.

“Januzi i tha atij se Shala i kishte kërkuar Januzit të vazhdonte vizitën e Bahtijarit dhe të zbulonte se çfarë kishte planifikuar të bënte Dëshmitari 1 dhe si mund të trajtohej çështja e dëshmisë së tij” – thuhet në aktakuzë.

Siç thuhet në aktakuzë, Januzi i kishte thënë dëshmitarit se mesazhi i Shalës është se nëse ai e tërheq dëshminë e tij atëherë Shala dhe persona të tjerë do t’i ofronin atij “ndihmë”.

“Dëshmitari 1 u përgjigj se nëse Shala dhe/ose të tjerët i sjellin atij 200 mijë euro, ata do të kishin një marrëveshje. Dëshmitari 1 nuk e konfirmoi apo mohoi të qenit dëshmitar. Januzi tha se do t’u tregonte atyre” atë që kishte thënë Dëshmitari 1.”

Menjëherë pas kësaj vizite, Prokuroria pretendon se Januzi ka thirrur përsëri Shalën.

Si pasojë e këtij kontakti, Prokuroria thotë se Dëshmitari 1 ishte edhe më tej i shqetësuar për sigurinë e tij dhe të familjes së tij.

Veprimet e fundit të Zyrës së Prokurorisë së Specializuar

Shala u arrestua në vazhdën e aksioneve të ZPS-së në kuadër të procesit hetimor që përqendrohet në vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.

Që nga fillimi i muajit nëntor, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kryer disa bastisje në Kosovë, duke përfshirë pronat e ish-këshilltarëve të Hashim Thaçit.

ZPS kishte njoftuar se operacionet janë zhvilluar në një proces hetimor në drejtim të veprave penale kundër administrimit të drejtësisë.

ZPS në njoftimin e saj të mëhershëm kishte deklaruar se do të hetojë dhe do të ndjekë penalisht të gjithë ata që i frikësojnë apo ndërhyjnë te dëshmitarët, ose “ofrojnë mbështetje financiare apo të ndonjë forme tjetër për vepra të tilla penale”.

Gjithashtu gjatë këtij viti, në Gjykatën Speciale janë intervistuar disa persona të cilëve u ishin konfiskuar telefonat, në mesin e tyre edhe ish-komandantin e Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa.

Aktualisht, në Dhomat e Specializuara janë duke u zhvilluar disa raste gjyqësore, përfshirë edhe rasti ndaj ish-krerëve të UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – që akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Në këtë gjykatë po zhvillohen edhe procese kundër administrimit të drejtësisë, për të cilat me vendim fajësie janë dënuar Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.

Çështja e ish-komandantit “Cali”, Salih Mustafa, i cili është i akuzuar për krime lufte, ndodhet në fazën e Apelit, ku pritet që vendimi përfundimtar të shpallet më 14 dhjetor.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës janë themeluar mbi bazën e një marrëveshje ndërkombëtare, e miratuar nga Kuvendi i Kosovës, nëpërmjet një amendamenti kushtetues, dhe në përputhje me Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar të Kosovës.

Këto institucione janë të përkohshme dhe i janë dhënë një mandat dhe juridiksion i caktuar për të hetuar dhe gjykuar për krime kundër njerëzimit, krime lufte dhe krime të tjera sipas legjislacionit të Kosovës.

Veprat penale që janë në fokus kanë ndodhur midis 1 janarit 1998 dhe 31 dhjetorit 2000, duke përfshirë ato që janë kryer nga individë me shtetësi të Kosovës ose të Republikës Federale të Jugosllavisë, si dhe ato që janë kryer kundër personave me shtetësi të Kosovës ose të Republikës Federale të Jugosllavisë.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës kanë selinë e tyre në Hagë, Holandë.