Haradinaj pas dënimit ndaj Sali Mustafës: Besoj fuqishëm në pafajësinë e UÇK-së

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka thënë se beson që në shkallën e dytë, Sali Mustafa do të dal i pafajshëm.

Haradinaj në reagimin e tij pas vendimit të Gjykatës Speciale për ta dënuar me 26 vite burg, Sali Mustafën i njohur me nofkën e luftës komandant “Cali”, ka thënë se beson në pafajësinë e UÇK-së.

“Dënimi sotëm i Sali Mustafës është vetëm një shkallë e drejtësisë, dhe rasti i tij në një shkallë tjetër, shpresoj ta marrë një epilog tjetër për lirinë e tij, siç ka ndodhur në plot raste të tjera, që dënimet drakoniane janë rikthyer në pafajësi”- ka shkruar Haradinaj.

“Unë besoj fuqishëm në pafajësinë e UÇK-së. Kosova e ka pranuar drejtësinë si mekanizëm për heqjen e gjitha dilemave se lufta e UÇK-së për lirinë e vendit ka qenë luftë e pastër”- ka theksuar ai.

Sali Mustafa i njohur me nofkën e luftës komandant “Cali” është gjetur fajtor për ndalim arbitrar, torturë, dhe vrasje e paligjshme, duke u dënuar me 26 vite burgim.

Këto krime dyshohet se janë kryer në kompleksin e ndalimit në Zllash, në prill të vitit 1999.

 

VIDEO – Salih Mustafa dënohet me 26 vjet burgim