Haradinaj - Kurtit: Shko Albin se s’ta kemi pa hajrin

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj duke folur për qeverisjen dy vjeçare të qeverisjes Kurti, ka kritikuar kryeministrin duke i thënë se “askush nuk ta ka parë hajrin”.

Haradinaj ka rikujtuar një deklaratë të kryeministrit Albin Kurti kur përmes një letre të gjatë me titullin “Shko Hashim”.

“Dikur i ke thënë Hashim Thaçit ‘Shko Hashim’ në këtë foltore. Ta deshti puna dhe shkoj Hashimi, çka është më mirë në këtë Kosovë tënde. Prej që ke ardhë ti unë nuk po shoh që dikush ka pa hajër prej teje, nuk e di një shtresë, një profesionist apo sektor që ta ka pa hajrin”- deklaroi Haradinaj.

“Edhe unë po të them ‘Shko Albin’, se nuk je ka qet dritë në Kosovë, vec nuk po mundem me të thënë shko atje ku janë ata [Hagë], po shko ku të duash ti vetëm shko”- shtoi kreu i AAK-së.

Në vitin 2019, Kurti përmes një shkrimi të gjatë pati dhënë disa nga arsyet se pse ish-presidenti Hashim Thaçi që tashmë po gjykohet në Hagë, duhet të shkonte në Gjykatën Speciale e cila në atë kohë u pati dërguar ftesa për intervistë disa prej komandantëve të UÇK-së.

Në postimin e tij, Kurti kërkonte nga Thaçi që të shkonte në Hagë në vend të disa pjesëtarëve të UÇK-së.

“Dhjetëra luftëtarë e pjesëtarë të UÇK-së, Sylejman Selimi, Sami Lushtaku, Rrustem Mustafa e deri te Sokol Dobruna, Kadri Veseli e Xhavit Haliti të shkojnë në Hagë, kurse ti në Prishtinë të jesh president me Baton Haxhiun?! Shko ti në vend të të gjithë atyre Hashim. Shko në Hagë. Për ata. Për vete. Shko. Mos e maltreto popullin dhe shtetin, shokët dhe vetveten. Shko ti.” – kishte shkruar Kurti në Facebook.

Kuvendi i Kosovës po shqyrton propozim-rezolutën e AAK-së për punën dy vjeçare të Qeverisë së Kosovës. Kjo pikë e rendit të ditës ka qenë kërkesë e AAK-së që nga fillimi i muajit mars.