Haradinaj: Kryeministër mos kërko fajin te punëtorët por te vetja jote

Fillimin e grevës nga Bashkimi i Sindikatave të Bashkuara të Kosovës (BSPK) që ka nisur nga sot, e ka përkrahur kreu i AAK-së Ramush Haradinaj, i cili e ka kritikuar kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin.

Haradinaj ka thënë që punëtorët janë në të drejtën e tyre dhe se grevat janë mjeti i vetëm që u ka mbetur në dorë.

“Kryeministër mos kërko fajin te punëtorët por te vetja jote. Ka më shumë se një vit e gjysmë që ti tallesh me ta, për të mos thënë se po i vjedhë ata”- ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Sipas tij, Ligji i Pagave duhet të miratohet me urgjencë, sepse kriza ekonomike ka mbërritur në asht.

“Ligji duhet të reflektojë rritjen enorme të çmimeve dhe inflacionin, që zyrtarisht ka mbërritur në 19.2%. Çdo formulë tjetër do t’u kthehet në bumerang. Është sosur durimi”- ka shkruar Haradinaj.

BSPK-ja sot ka thirrur grevën derisa Qeveria e Kosovës të realizojë kërkesën e sindikalistëve.

Pjesë e grevës është bërë edhe administrata komunale dhe institucione të tjera të vendit.

KALLXO.com ka shkruar disa orë më parë se Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Financave dhe Transfereve ka paralajmëruar pezullimin e kontratave të punës të grevistëve, për aq kohë sa ata do të mbajnë grevë.

Ministria e Financave paralajmëron pezullimin e kontratave të të gjithë grevistëve