Ish-Kryeministri Ramush Haradinaj dhe ish-Presidenti Hashim Thaçi

Haradinaj: E vlerësoj gatishmërinë e Thaçit që t'i përgjigjet Gjykatës Speciale

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj e ka vlerësuar gatishmërinë e presidentit Hashim Thaçi që t’i përgjigjet ftesës për intervistim nga Gjykata Speciale.

Haradinaj ka deklaruar se nuk ekziston asnjë gjyq që mund ta gjykojë përpjekjen e një populli për të jetuar si gjithë të tjerët të lirë në tokën e vet.

“Shqiptarët kanë bërë luftë të pastër dhe të drejtë, në mbrojtje të pragut të shtëpisë, dinjitetit dhe Atdheut. Në çdo rrethanë përgjatë tërë historisë, kemi dëshmuar pjekuri, guxim, mikpritje e bashkëpunim, e këtë e dëshmon edhe gatishmëria jonë anipse nga pozita e viktimës, t’i përgjigjemi thirrjeve të drejtësisë sado të pa drejta qofshin ato”, ka shkruar Haradinaj në rrjetin social “Facebook”.

“E vlerësoj lartë gatishmërinë e presidentit Thaçi që t’i përgjigjet pozitivisht ftesës për intervistim nga Gjykata Speciale. Lufta e popullit shqiptar, të rreshtuar përkrah UÇK-së ishte e drejtë, vlera e së cilës, pavarësisht përpjekjeve për ta dëmtuar, nuk do t’i humbë as sot, e as kurrë. Nuk i kemi ikur asnjëherë ballafaqimit me drejtësinë sa herë ajo e ka kërkuar këtë, pa marrë parasyshë pozitat tona shtetërore, i jemi përgjigjur dhe do t’i përgjigjemi”, ka shtuar ish-kryeministri.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi pritet sot të intervistohet nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS).

Në propozim-aktakuzën e publikuar më 24 qershor nga Zyra e Prokurorit të Specializuar pretendohet, se presidenti Thaçi, kryetari i PDK-së Kadri Veseli dhe nëntë të dyshuar të tjerë janë përgjegjës për krime lufte.