Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Haradinaj: ‘Baba i tenderëve’ punon në ministrinë e Liburn Aliut

Ramush Haradinaj deputet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka kërkuar nga ministri i Bujqësisë, Faton Peci të dijë nëse do të vazhdojë mbështetja për bujqit.

“Unë i kam bërë një shkresë ministrit Peci ku kam kërkuar me na sqaru a kanë me mujt me pagu ratën e dytë të subvencioneve me pakon ekonomike, shumë fermerë janë duke e pritur këtë pako”, pyeti Haradinaj.

Haradinaj, tha që ministri i Ambientit, Liburn Aliu e ka të punësuar në ministrinë e tij, Nexhat Krasniqin për të cilin sipas Haradinajt, LVV ka thënë që është ‘kupola e krimit’.

“Çështja tjetër ka të bëjë me  a ruajmë paranë publike, a jemi për jo korrupsion, Qeveria Kurti e ka nisur bukur keq çështjen e korrupsionit, Xhelal Sveçla më ka marrë në pyetje si deputet, për personin e quajtur Nexhat Krasniqi i cili sipas tyre është ‘baba i tenderëve’, ‘kupola e krimit’, mesa marrë vesh unë Nexhat Krasniqi është në punë te Liburn Aliu dhe i kryen funksionet e veta. Qytetarët kanë pritur që do të jeni të kujdesshëm, nuk do të dërgoni sinjale të tilla, ndërsa në të vërtet ju jeni më të korruptuar se ata që kanë qenë më herët”, shtoi Haradinaj.

Për deklarimet e Haradinajt, në seancë të Kuvendit, ende nuk janë përgjigjur ministri Faton Peci dhe ministri Liburn Aliu, ani pse janë në seancë.

Nexhat Krasniqi për disa vite ka shërbyer si zyrtar i Prokurimit në kuadër të Ministrisë së Infrastrukturës.

Gjatë mandatit të ministrit të këtij dikasteri, Arban Abrashi e kishte shkarkuar sekretarin e MI-së, Izedin Bytyqin për ta zëvendësuar me Zymber Avdullahun.

Vendimi i parë që mori Avdullahu ishte anulimi i vendimit që e kthente në punë Krasniqin.

Sekretari i ri i MI-së vendimin e parë e mori për ish-shefin e prokurimit, Nexhat Krasniqi (kallxo.com)