Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Sekretari i ri i MI-së vendimin e parë e mori për ish-shefin e prokurimit, Nexhat Krasniqi

Zymer Avdullahu është emëruar Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Infrastrukturës.

Nga kjo pozitë u lirua Izedin Bytyqi përmes një vendimi të ministrit në detyrë të MI-së, Arban Abrashi.

Disa orë pasi mori këtë detyrë, Avdullahu shfuqizoi vendimin për kthimin në punë të shefit të prokurimit në këtë ministri, Nexhat Krasniqi.

“Shfuqizohet vendimi nr 01.1679 datë 26,02 2021 me të cilat vendime Nexhat Krasniqi është kthyer në pozitën Udhëheqës i Divizionit të Prokurimit në kuadër të DFSHP.  Shfuqizohet vendimi nr 01.10242, e datë 22.12.2020 për kthimin në punë të Nexhat Krasniqi”, thuhet në vendimin që KALLXO.com ka siguruar.

KALLXO.com raportoi sot se ministri në detyrë i Infrastrukturës, Arban Abrashi ka liruar nga detyra Sekretarin e Përgjithshëm të kësaj Ministrie, Izedin Bytyqi.

Në vendimin që KALLXO.com ka siguruar thuhet se obligohet zyra e Sekretarit të Përgjithshëm që të bëjë sistemimin e Bytyqit në pozitën drejtor i Departamentit.

Vendimi ka hyrë në fuqi sot.

KALLXO.com ka provuar gjatë ditës së sotme të kontaktojë me Bytyqin, por i njëjti nuk ka qenë i qasshëm në telefon e as në rrjete sociale.

Izedin Bytyqi ka qenë edhe sekretar i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Më 19 shkurt 2020, Bytyqi është ricaktuar si sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës. Gjatë asokohe, këtë Ministri e ka udhëhequr Lumir Abdixhiku nga LDK-ja.