Deputeti Xhelal Sveçla në interpelancën e kryeministrit Haradinaj në rastin Rikalo.

Kryeministrit i kërkohet llogari për kthimin në punë të Nexhat Krasniqit

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Xhelal Sveçla, ka pyetur kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj, se si do ta luftoj krimin e korrupsionin në nivele të larta.

Sipas tij është shqetësuese kthimi i Nexhat Krasniqit në Ministri të Infrastrukturës, që udhëhiqet nga një ministër që vjen prej subjektit politik të kryeministrit.

Sveçla tha se MI ka buxhetin më të lartë për investime kapitale pak nën 300 milion euro.

”Të riemërohet si drejtor i Drejtorisë i Prokurimeve Publike ku shumica e parave të taksapaguesve tanë janë tek një i dënuar për keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar në bashkëkryerje. Pastaj edhe të gjykohet për marrje ryshfeti dhe lidhje të kontratave të dëmshme dhe i njëjti person nga MTI të caktohet si drejtor i prokurimit në MI, Ministri e cila po përmendet në 53 milionshin e Bechtel – Enka mendoj që është dëshmi e mjaftueshme për mungesën e kësaj qeverie për me luftu krimin dhe korrupsionin në nivele të larta”, tha Sveçla.

Ai tha nëse kryeministri nuk ndërmerr masa ndaj këtij rasti, kjo sipas tij i bie që nuk janë të gatshëm për luftimin e krimit dhe korrupsionit në nivele të larta.

E kryeministrit Ramushi Haradinaj tha se Krasniqi bënë pjesë në kategorinë e njerëzve që edhe nëse nuk e merr në vend të punës, rrogën ke me ja dhënë prapë.

“Është një vendim i gjykatës me e kthy në vend të punës se gjëja padrejtësisht ju ka mohu atij. Ky bënë pjesë në kategorinë e atyre njerëzve që nëse se merr në vend të punës, rrogën ke me ja dhënë prapë. Merreni me mend, gjykatat e vendit e kanë kthyer këtë njeri në vendin e punës”, tha Haradinaj.

E deputeti Sveçla kërkoi që kryeministri Haradinaj të informohet edhe një herë për këtë çështje.

“Z.kryeministër unë ja u dhashë një dosje me dokumente zyrtare. Nuk kemi nevojë për dyshime tjera. Na mund të kemi një marrëveshje që pas dy jave të kemi një raport për këtë, ju informohuni se keni mjaftë këshilltarë, ministra, zëvendësministra”, tha Sveçla.

Kryeministri tha se si informatë të parë i ka këto të dhëna, se Krasniqi është kthyer në punë pas një vendimi të gjykatës.

“Unë ju tregova çka di unë, dhe nuk po insistojë që ju nuk e keni mirë. Tash te shohim a është ashtu”, tha Haradinaj.