'Hapja e urës mbi lumin Ibër për qarkullim' – flet iniciatorja e këtij vendimi

Asamblistja e Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut, Aida Ferati- Doli, e cila i ka parashtruar sot këtij Kuvendi kërkesën për hapjen e Urës së Ibrit për qarkullim të automjeteve e lëvizje të lirë ka thënë se kjo është bërë pas kërkesave të shumta të qytetarëve.

Ajo në emisionin “FIVE” ka thënë se është mëse e nevojshme të mundësohet liria e lëvizjes nëpër urën që ndan anën veriore dhe jugore të qytetit pasi bllokohet komunikacioni për të gjithë qytetarët.

“Po bllokohet komunikacioni, nënat me fëmijë kanë shumë probleme të lëvizin lirshëm. Është kërkesë e qytetarëve të Kosovës, e kam kërkuar të futet në rend dite. Nuk ka ndonjë tendencë përveç funksionalizimit të kësaj ure, bëhet jeta e mirë për qytetarët”, ka thënë Ferati- Doli.

Ndërsa se a mund të ketë përshkallëzim të situatës për shkak të reagimeve nga Lista Serbe ka thënë se nuk është e nevojshme të bëhen reagime të tilla pasi sipas saj kërkesat e qytetarëve duhet të dëgjohen dhe të merren parasysh nga secili që i përfaqëson ata.

“Këto reagime nuk ka qenë nevoja të bëhen, ne si përfaqësues të popullit që na kanë votuar, i propozojmë si pika të rendit të ditës, me secilën kërkesë merremi secili asamblist. Qytetarët janë të kënaqur me këtë, bëhet një lirim i komunikacionit”, ka vijuar ajo./ RTV Dukagjini