Hajrulla Çeku: Nuk do të lejojmë asnjë shkelje nga federatat sportive
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka komentuar procesin zgjedhor në Federatën e Futbollit të Kosovës, duke thënë që si ministri nuk do të lejojnë shkelje statutare.
Këto komente, Çeku i ka bërë sot gjatë ditës në një organizim të Shoqatës së Gazetarëve Sportiv.
“Nëse dikush mendon që MKRS-ja do të bëj kompromise në raport me standardet e qeverisjes së mirë, në raport me detyrimet statutare të federatave dhe organizatave tjera sportive, e kanë gabim. Prandaj nga këtu ju bëj të qartë të gjithëve që MKRS e merr shumë seriozisht qeverisjen e mirë brenda federatave sportive dhe ne nuk do të tolerojmë asnjë shkelje dhe asnjë tejkalim të normave statutare, të rregulloreve të MKRS-së dhe Ligjit të Sportit në Republikën e Kosovës”, ka thënë Çeku.
Këto deklarime kanë ardhur pas raportimeve se në momentin kur Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës ka vendosur që zgjedhjet për të kryetar të FFK-së të mbahen me 6 prill, është bërë shkelja e statutit.
Zyrtarët e MKRS-së edhe më herët për KALLXO.com kanë folur rreth procesit të zgjedhjeve në Federatën e Futbollit të Kosovës.
Po ashtu edhe disa ditë më herët, MKRS-ja kishte reaguar lidhur me zhvillimet e fundit në Federatën e Futbollit të Kosovës.
Hajrullah Çeku në një intervistë për “Kallxo Pernime” ishte shprehur se MKRS-ja nuk përzihet në zgjedhjet e Federatës së Futbollit të Kosovës.
“Është çështje totalisht e brendshme e Federatës, ne nuk përzihemi në atë çështje”, ishte shprehur Çeku.
Në zgjedhjet për të parin e FFK-së që pritet të mbahen me 6 prill, pritet të kandidojnë Gramoz Vokrri dhe Agim Ademi.