Hajrulla Çeku: Nuk përzihemi në zgjedhjet e kryetarit të ri të FFK-së

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit i Kosovës, Hajrulla Çeku, “Kallxo Përnime” ka folur për zgjedhjet e reja në Federatën e Futbollit të Kosovës si dhe për Lokacionin e Stadiumit Nacional.

Çeku është shprehur se si Ministri e Kulturës, Rinisë dhe Sportit nuk do të përfshihet në zgjedhjet që do të mbahen në Federatën e Futbollit të Kosovës.

“Është çështje totalisht e brendshme e Federatës, ne nuk përzihemi në atë çështje” është shprehur Çeku.

Po ashtu Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka folur edhe për ndërtimin e stadiumit nacional të Kosovës.

“E kemi themeluar grupin për hartimin e strategjisë kombëtare të sportit, deri më tash çka do që është investuar në sport nuk e kemi asnjë dokument orientues për investimet e bëra, kemi nevojë përfundimisht për një dokument që na udhëzon se çfarë infrastrukture kemi nevojë me ndërtuar, kështu që nga viti i ardhshëm unë nuk kam me planifiku buxhet në sport në mënyrë ad-hoc”, ka thënë Çeku.

Çeku ka thënë se pjesë e grupit janë edhe dy ekspertë ndërkombëtarë.

“Kemi dy ekspertë ndërkombëtar, ata duhet të na tregojnë se a duhet që të investojmë në një stadium nacional në vlerë prej 100 milionë euro, apo ato 100 milionë euro mund t’i investojmë në rehabilitimin e pjesës tjetër të infrastrukturës ekzistuese” është shprehur Çeku.

Hajrullah Çeku ka folur edhe për mungesën e terreneve sportive.

“Ne kemi mungesë të shtegut për atletikë, kemi mungesë të terreneve të tenisit, nuk kemi pishina të notit, andaj një projekt i madh si stadiumi nacional mund të vijë më vonë, unë nuk e banalizojë këtë çështje, me diskutu a duhet në Drenas, Bërnicë, Prizren apo Gjakova”, ka thënë Çeku.