Greva e minatorëve në Trepçë. Foto: KALLXO.com.

Greva në “Trepçë“, sindikata amerikane i shkruan letër kryeministrit Kurti

Sindikata e Pavarur e Minatorëve të “Trepçës” ka publikuar një letër, të cilën, sipas saj, ia ka dërguar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, sindikata amerikane Punëtorët e Bashkuar të Minierave të Amerikës (UMWA).

Sipas letrës, UMWA solidarizohet me kolegët kosovarë, të cilët kanë hyrë në grevë që nga 24 tetori.

Qindra minatorë e punëtorë të tjerë të “Trepçës” kanë nisur një grevë, të cilën thonë se do ta vazhdojnë deri në përmbushjen e kërkesave të tyre: Realizimi i pagës mujore me kohë nga data: 06 – 10 (në fillim të çdo muaji), shkarkimi i menaxhmentit (kryeshefit) dhe sigurimi shëndetësor dhe kushtet e punës.

“Është një gjendje tragjike kur punëtorët që rrezikojnë jetën e tyre çdo ditë për të mirën e vendit të tyre janë të detyruar të hynë në grevë për të siguruar një marrëveshje të drejtë kolektive që ofron dinjitet, një mjedis të sigurt pune, përfitime jetike shëndetësore dhe kompensim të drejtë për shërbimin kritik që ata ofrojnë” – thuhet në letër.

UMWA i ka kërkuar kryeministrit që të bëjë gjithçka në fuqinë e tij për të zgjidhur me shpejtësi dhe drejtësi këtë grevë, duke u siguruar që këtyre minatorëve t’u sigurohet siguria dhe dinjiteti.

“Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë në solidaritet me vëllezërit dhe motrat tona të Sindikatës së Pavarur të Minatorëve të Trepçës dhe lutemi për zgjidhjen e shpejtë dhe të drejtë të kësaj greve!” – thuhet tutje në këtë letër.