Grenell i reagon Petrit Selimit, përgënjeshtron deklaratat për heqjen e vizave për Kosovën

I dërguari i posaçëm i presidenti Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell ka përgënjeshtruar në dy raste kryeshefin ekzekutiv të Fondacionit “Sfidat e Mijëvjeçarit”, Petrit Selimin.

Në rastin e parë Selimi kishte shkruar në Twitter se Kosova është gati të marrë një grant të madh nga SHBA për ndërtimin e një gazsjellësi jo rus për Ballkanin Qendror, ndërsa në rastin e dytë Selimi kishte shkruar se kosovarët dhe serbët mund të udhëtojnë pa viza drejt ShBA-së brenda 45 ditëve pas marrëveshjes për normalizimin ekonomik.

“Shuplakë e fortë në fytyrë drejt BE-së për qëndrimin e saj racist karshi Kosovës mund të vijë nga DC dhe administrata e Donald Trump: Mediat në Kosovë raportojnë se ShBA ka njoftuar se Kosova dhe Serbia mund të udhëtojnë pa viza drejt ShBA-së 45 ditë pas marrëveshjes për normalizim ekonomik”, ka shkruar Selimi në rastin e parë.

“Diversifikimi i energjisë” ka të bëjë ndoshta me marrjen e një granti të madh së shpejti nga SH.B.A. për të ndërtuar një tubacion gazi jo rus me Ballkanin qendror. E gjithë marrëveshja është duke u negociuar ndërsa flasim. Njoftimi pritet para fundit të vitit”, kishte shkruar Selimi në rastin e dytë.

Në të dyja rastet Grenell ka reaguar duke thënë se këto të dyja janë “të pavërteta”.

Emisari amerikan për dialogun Kosovë- Serbi, Richard Grenell, të enjten kishte  përgënjeshtruar edhe ministrin serb  Sinisa Mali, i cili nga Uashingtoni tha se Serbisë po i kërkohet njohja e Kosovës në takimin që sapo ka filluar në kuadër të dialogut në Shtëpinë e Bardhë.

“Nuk është e vërtetë”, shkroi Grenell nga Shtëpia e Bardhë duke iu përgjigjur raportimeve rreth deklaratave të ministrit serb.

Ministri i Financave i Serbisë, Sinisa Mali, i cili është pjesë e delegacionit serb në takimin me palën kosovare në Shtëpinë e Bardhë, ka thënë se palës serbe në fillim të takimit i është dorëzuar një listë e kërkesave shumica e të cilave, sipas tij, nënkuptojnë njohjen e Kosovës nga Serbia.

Grenell demanton ministrin serb