Petrit Selimi thotë se 3 shtete po shqyrtojnë pezullimin e vizave për Kosovën, von Cramon e mohon
Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës dhe ish-kryeshefi Ekzekutiv në Milenium Foundation Kosova, Petrit Selimi, përmes një postimi në Twitter ka deklaruar se ka informata se të paktën tre shtete anëtare të BE-së po shqyrtojnë kërkesën për pezullimin e fondeve të IPA-s dhe të liberalizimit të vizave për Kosovën.
Por një deklaratë e tillë nga ai është demantuar nga eurodeputetja Viola von Cramon.
Megjithatë, Selimi nuk e ka bërë të ditur se cilat janë këto shtete.
“Informacioni më i fundit nga diskutimet brenda BE-së. Të paktën 3 shtete anëtare të BE-së (nuk do t’i përmendi këtu) po shqyrtojnë kërkesën për pezullimin e fondeve të IPA-s dhe liberalizimin e vizave për Kosovën. Lëvizje drastike, e papranueshme, nëse shtyhen. Tani kemi nevojë për zgjidhje konkrete të paraqitura nga Kosova”- ka shkruar Selimi në Twitter.
Latest info from deliberations inside EU. At least 3 EU member states (won’t name them here) are considering requesting suspending of IPA funds & visalib for Kosovo. Drastic, unacceptable move these, if they are pushed through. We now need concrete solutions put forth by 🇽🇰.
— Petrit Selimi (@Petrit) May 31, 2023
Mirëpo, ndaj këtij postimi ka reaguar Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, e cila i është përgjigjur Selimit duke thënë se këto gjëra po i dëgjon për herët të parë.
Në reagimin e saj ndaj Selimit, Cramon është shprehur se është e ndaluar që të vihen dyshime mbi liberalizimin e vizave dhe fondet e IPA-s
“Këto informacione i dëgjoj për herë të parë. Unë mund të imagjinoj se kush mund të qëndrojë pas kësaj, mirëpo të vihet në dyshim liberalizimi i vizave dhe fondet e IPA-s është absolutisht e ndaluar. Na duhet një zgjidhje urgjente politike për veriun!” – ka shkruar von Cramon.
I hear these information for the first time. I can imagine who could be behind it but to question VisaLib and funds of IPA is an absolute no-go.
We need an urgent political solution for the north! https://t.co/DFhuk64Vek— Viola von Cramon 🇺🇦🇪🇺 (@ViolavonCramon) May 31, 2023
Një përgjigje në komentet e postimit të von Cramon e ka dhënë më pas Selimi i cili shkurtimisht ka komentuar “Dakord për të gjitha pikat.”.
Të hënën von Cramon, u shpreh e shqetësuar nga situata në veri të Kosovës gjatë një konference për media në Prishtinë. Ajo tha se Qeveria e Kosovës “duket se po rrezikon shumë me këto manovra në veri”.
Von Cramon gjithashtu i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës ta pyesë veten “nëse kjo është qeverisje e mirë”, teksa shtoi se duhet të punohet në ndërtimin e besimit me komunitetin serb në veri të Kosovës dhe që ata të mos portretizohen si “kriminelë” dhe “kukulla të Beogradit”.
Që nga 26 maji në komunat me shumicë serbe të Zubin Potokut, Zveçanit dhe Leposaviqit janë shkaktuar tensione pasi Policia e Kosovës u ndihmoi kryetarëve shqiptarë të këtyre komunave që të futen në zyrat e tyre komunale.