Foto: Facebook/ Hashim Thaçi

Grenell: Kur Donald Trump të bëhet sërish president, ne do të punojmë për ta liruar Thaçin

Ish-emisari i ShBA-ve për dialogun Kosovë – Serbi në kohën e presidentit Donald Trump, Richard Grenell, ka thënë se kur Trump do të bëhet sërish president, do të punojnë për ta liruar ish-presidentin Hashim Thaçi.

Grenell, për arrestimin e Thaçit nga Gjykata Speciale në Hagë ka fajësuar ish-kryeprokurorin special, Jack Smith lidhur me “urrejtjen” e këtij të fundit ndaj Donald Trump.

“Presidenti Thaçi tani është ulur në një burg të Hagës sepse Jack Smith e urren Donald Trumpin dhe donte të sigurohej që ai të mos kishte bërë ndonjë përparim në Ballkan. Dhe evropianët kanë lejuar që kjo padrejtësi të zgjatet. Kur Donald Trump të bëhet sërish President, ne do të punojmë për ta bërë Thaçin të lirë. Ne kemi nevojë për drejtësi dhe jo politikë” – ka shkruar Grenell duke bashkangjitur një postim të 22 janarit 2020 gjatë takimit mes Grenellit dhe Thaçit.

Më 19 nëntor 2022, Ish-kryeprokurori Special i Zyrës së Prokurorit të Specializuara në Hagë, Jack Smith, është emëruar për të mbikëqyrur hetimet penale të departamentit të drejtësisë amerikane ndaj ish-presidentit Donald Trump.

Jack Smith, një ish-prokuror për krimet e luftës, u emërua këshilltar special nga Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland.

Jack Smith ishte kryeprokuror i Speciales kur në qershor të vitit 2020 u ngrit aktakuza për krime lufte ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi.

Në ato momente kur aktakuza u publikua, Thaçi ndodhej në aeroplan duke udhëtuar për në ShBA.