Foto: Aleksandar Vuçiq, Instagram

Grenell nderohet nga Vuçiqi në Serbi, përmend medaljen që e mori nga Thaçi tri vite më parë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka dekoruar ish-emisarin të SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, me ‘Urdhrin e flamurit serb’, për “shërbime të dalluara në zhvillimin dhe forcimin e bashkëpunimit paqësor dhe të marrëdhënieve mes Serbisë dhe SHBA-së”.

Sipas Vuçiqit, Grenell në një periudhë të shkurtër kohore ka ndikuar ndjeshëm në marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe SHBA-së.

“Angazhimi i jashtëzakonshëm i ambasadorit Grenell në Ballkan ishte një dëshmi e besimit të tij të thellë në të ardhmen e rajonit, dhe rrjedhimisht të ardhmen e Serbisë dhe krijimin e një të ardhmeje tjetër për njerëzit e Ballkanit. Sot, duke e njohur atë, ne rikonfirmojmë angazhimin tonë të palëkundur për forcimin e miqësisë dhe bashkëpunimit ndërmjet Serbisë dhe SHBA-së”- ka shkruar Vuçiq në Instagram.

Ndërsa, Grenell ka përmendur medaljen me të cilën e kishte dekoruar ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tri vite më parë.

“Tani jam i vetmi person në botë që i kam marrë medaljet më të larta të nderit nga të dy vendet, Kosova (para 3 vitesh) dhe Serbia (sot)”- ka shkruar Grenell.

 

Presidenti i atëhershem i Kosovës, Hashim Thaçi, në shtator të vitit 2020 e ka dekoruar me Medaljen presidenciale të Meritave ambasadorin Richard Grenell “për kontributin e jashtëzakonshëm për realizimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike në mes të Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë”.

Ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump, e emëroi ambasadorin amerikan në Gjermani, Richard Grenell, si të dërguar të posaçëm të Administratës amerikane për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në gusht të vitit 2021, marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës filluan të trajtohen nga Gabriel Escobar, i cili u emërua Zëvendës Ndihmës Sekretar në Byronë e Çështjeve Europiane dhe Euroaziatike të Departamentit të Shtetit.