
Foto: MPJD
Ish-ministra e ish-diplomatë akuzojnë MPJD-në për fshirje të historikut nga ueb-faqja
Disa ish-ministra dhe disa ish-diplomatë kanë reaguar duke pretenduar se historiku i aktiviteteve diplomatike është fshirë nga ueb-faqja e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD).
Ish-ministrat Meliza Haradinaj-Stublla e Petrit Selimi, por edhe ish-diplomatët Vlora Çitaku dhe Bernard Nikaj, një veprim të tillë të MPDJ-së po e vlerësojnë si të pakuptimtë dhe jo serioz.
E para që e ka ngritur këtë shqetësim ka qenë ish-ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj Stublla e cila ka thënë se kjo është e papranueshme.
“E papranueshme se si Ministria e Jashtme paska zhdukur gjithë historikun e aktiviteteve diplomatike, kumtesave, takimeve, njoftimeve e qëndrimeve zyrtare nga website i MPJD. Madje në historikun e ish-ministrave të jashtëm figuron vetëm ish Ministri Konjufca. Sinqerisht e pakuptimtë dhe joserioze”- ka shkruar ajo në Facebook.
Edhe ish-ministri tjetër, Petrit Selimi, ka reaguar duke thënë se nuk ka dashur ta besojë një gjë të tillë.
“O shoku Enver Hoxha u kthye nga vdekja. Nuk doja ta besoja Melisa Haradinaj-Stublla, por është e vërtetë. Me sa duket në historinë e Kosovës ky është i vetmi ish-ministër i Punëve të Jashtme”, ka shkruar ai në platformën “X”.
Për këtë veprim të ministrisë, ka reaguar edhe ish-ambasadorja e Kosovës në Uashington, tani nënkryetare e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku.
“Ministria e Punëve të Jashtme paska zhdukur nga historiku në web faqe tërë aktivitetet, emrat, dokumentet dhe fotografitë e Ministrave paraprak ( përveç Glauk Konjufcës dhe Donika Gërvallës). “Zhdukja” e paralajmëruar nga Kurti, tashmë paska filluar. Kjo lloj sjellje është mjerim dhe marrëzi”- ka shkruar ajo.
Bernard Nikaj, ish-ambasadori i Kosovës në Bruksel, tani anëtar i kryesisë së PDK-së, ka thënë se ky veprim është fyerje për ish-ministrat që ka pasur Kosova.
“Sipas faqes së re të internetit të MPJD-së, në 15 vitet e pavarësisë së saj Kosova ka pasur vetëm një Ministër të Jashtëm. Kjo është jo vetëm e pavërtetë por edhe fyese për ish-ministrat e Jashtëm”- ka shkruar ai në platformën X.
According to the new webpage of @MFAKOSOVO, in its 15 years of independence #Kosovo has had only one Foreign Minister. This is not only untrue but also insulting to former Foreign Ministers @Enver_Hoxhaj @vloracitaku @pacollibehgjet @shyseni1 @Petrit @MelizaHaradinaj
— Bernard Nikaj (@nikaj) September 20, 2023
Në një kërkim në web-faqen e ministrisë, figurojnë emrat e ish-ministrave por jo fotografitë, aktivitet e biografitë e tyre. E vetmja biografi e publikuar është ajo e ministres së jashtme, Donika Gërvalla- Schwarz. Ndërsa publikimi i aktiviteteve është bërë vetëm nga data 6 qershor 2022 deri më tani.
KALLXO.com ka kontaktuar Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës për këtë çështje, por deri në publikimin e këtij teksti nuk ka marrë përgjigje.