Grenell demanton ministrin serb

Emisari amerikan për dialogun Kosovë- Serbi, Richard Grenell, ka përgënjeshtruar ministrin serb, Sinisa Mali, i cili para pak çastesh nga Uashingtoni tha se Serbisë po i kërkohet njohja e Kosovës në takimin që sapo ka filluar në kuadër të dialogut në Shtëpinë e Bardhë.

“Nuk është e vërtetë”, shkroi Grenell nga Shtëpia e Bardhë duke iu përgjigjur raportimeve rreth deklaratave të ministrit serb.

Ministri i Financave i Serbisë, Sinisa Mali, i cili është pjesë e delegacionit serb në takimin me palën kosovare në Shtëpinë e Bardhë, ka thënë se palës serbe në fillim të takimit i është dorëzuar një listë e kërkesave shumica e të cilave, sipas tij, nënkuptojnë njohjen e Kosovës nga Serbia.

“Në fillim të takimit e kemi marrë një dokument asnjëherë më të keq që nga fillimi i dialogut. Janë 16 pika në tavolinë nga të cilat 10 nënkuptojnë njohjen reciproke”, tha Mali, raporton RTS.