Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Goran Rakiq kandidat për deputet në Parlamentin e Serbisë nga partia e Vuçiqit

Ish-kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, është në mesin e kandidatëve për deputet nga radhët e partisë së Aleksandër Vuçiq në zgjedhjet parlamentare në Serbi që do të mbahen më 17 dhjetor.

Në një listë të siguruar nga KALLXO.com, Rakiq është renditur i 27-ti nga 250 kandidatë në tërësi.

Goran Rakiq ka qenë lider i Listës Serbe deri më 24 tetor kur kjo parti zgjodhi në krye të saj mjekun Zllatan Elek.

Ndryshimet në lidershipin e partisë u bënë pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, nga i cili mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

Millan Radoiçiq, i cili ishte nënkryetar i Listës Serbe mori përgjegjësinë për këtë sulm dhe dha dorëheqjen nga ajo pozitë.

Derisa, më 13 tetor Lista Serbe shprehu gatishmërinë për të marrë pjesë në zgjedhje nën organizimin e institucioneve të Kosovës në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, pasi i kishte bojkotuar në prill të këtij viti.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe kryetari i Parlamentit të Serbisë, Vladimir Orliq, më 1 nëntor njoftuan shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare dhe zgjedhjet lokale në disa qytete dhe komuna, përfshirë në Beograd.

Më 30 tetor, Qeveria e Serbisë i propozoi Vuçiqit që të shpërndante Parlamentin. Në njoftimin e Qeverisë u tha se mbajtja e zgjedhjeve të reja parlamentare në rrethanat ekzistuese do të sigurojë një nivel të lartë të demokracisë dhe uljen e tensioneve midis medimeve të ndryshme në shoqëri.

Mblidhet Lista Serbe, Zlatan Elek zgjidhet në krye të partisë