Gjyqtari Kalludra: Seanca në rastin “Toka“ nuk u caktua në mungesë të procesmbajtëses

Gjykimi ndaj ish- deputetit të PDK-së, Azem Sylës dhe 21 të akuzuarve të tjerë për krim të organizuar në shpronësimin e Kosovës nga tokat shoqërore nuk është caktuar ende.

Kujtojmë se seanca e fundit në këtë çështje penale ishte caktuar më 31 mars por nuk ishte mbajtur për shkak të situatës së krijuar me pandeminë e COVID-19.

KALLXO.com sot ka pyetur gjyqtarin e çështjes Beqir Kalludrën, për datën e radhës së seancës  por i njëjti deklaroi se tashmë e 6 muaj nuk ka procesmbajtëse dhe për këtë arsye nuk e ka caktuar ende seancën.

Prokuroria Speciale me 25 tetor 2016 ngriti  2 aktakuza kundër 39 personave të ndryshëm në mesin e të cilëve është edhe ish- deputeti Azem Syla.

Aktakuza e parë është ngritur nga një prokuror ndërkombëtar ndaj 22 personave dhe përbëhet nga 46 pikave.

Të pandehurit akuzohen për krim të organizuar, pastrim të parave, marrje të mitos, mashtrim të rëndë, mashtrim në detyrë, keqpërdorim të detyrës, nxjerrje të kundërligjshme të vendimeve gjyqësore, legalizim të përmbajtjes së rreme dhe evasion fiskal.