Azem Syla në gjykatë | Foto: KALLXO.com

Gjykimi i Azem Sylës për rastin ‘Toka’, sërish mbyllet seanca për publikun

Në gjykimin e Azem Sylës dhe të tjerëve për rastin e njohur si “Tokat”, me kërkesën e prokurorit special Naim Abazi Gjykata e ka mbyllur për publikun seancën.

Prokurori kërkoi të mbyllet seanca qysh në fillim të saj me arsyetimin se dëshmia e dëshmitarit R.H. mund të përmbajë pohime faktike me përmbajtje të fshehta për palët.

Gjykatësi Beqir Kalludra mori vendim me të cilin u përjashtua publiku nga salla, por jo edhe monitoruesit  e OSBE-së.

Ai nuk e tregoi arsyen për mbylljen e seancës.

Kujtojmë se edhe në muajin shtator të këtij viti ishte mbyllur seanca për publikun.

Publikut nuk i lejohet ta dëgjojë dëshminë ndaj Azem Sylës në gjykatë

Prokuroria Speciale më 25 tetor ngriti dy aktakuza kundër 39 personave të ndryshëm, në mesin e të cilëve është edhe ish-deputeti i PDK-së, Azem Syla.

Aktakuza e parë, e parashtruar nga një prokuror ndërkombëtar i PSRK-së, është ngritur kundër 22 të pandehurve dhe përbëhet prej 46 pikave.

Të pandehurit akuzohen për veprat penale krim i organizuar, pastrim i parave, marrje e mitës, mashtrim i rëndë, mashtrim në detyrë, nxjerrje e vendimeve gjyqësore të kundërligjshme, keqpërdorim i pozitës zyrtare, legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar dhe evazion fiskal.

Anëtarët e këtij grupi të organizuar kriminal kanë bashkëpunuar mes vete, secili me rol të caktuar, për t’i privuar Kosovës pronat shoqërore përmes veprimtarive kriminale, duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve të tjera zyrtare, mashtrimin dhe veprimeve korruptive.

KALLXO.com në vazhdimësi e ka monitoruar këtë proces gjyqësor.