Gjykimi ndaj Azem Sylës: Si pagoi biznesmeni pejan 440 mijë për tokë?
Ministër Jusaj, biznesmen nga Peja pretendon se kishte paguar 440 mijë euro për tokën në Laplasellë të cilën nuk e shfrytëzoi kurrë.
Në gjykimin ndaj ish- deputetit të PDK-së, Azem Syla për privim të kundërligjshëm të Kosovës nga pronat shoqërore, shmangie nga tatime, shpëlarje parash, legalizim të përmbajtjes së rreme u dëgjuan 6 dëshmitarë.
Në seancën e sotme në cilësinë e dëshmitarit u dëgjua Ministër Jusaj biznesmen nga Peja i cili tregoi për blerjen e parcelës në sipërfaqe prej 5 mijë e 471 metër katrorë në Laplasellë.
Ai tregoi se si i ishte bartur prona në emër të tij nga avokati tashmë i akuzuar, Avni Maxhuni.
‘’Është e vërtetë që kam një pronë në sipërfaqe prej 5 mijë e 471 metër katrorë në Laplasellë, e kam blerë direkt nga Muharrem Kadriu në shumë prej 440 mijë euro. Verifikimin e parcelës e kam bërë në zyrën kadastrale në Graçanicë dhe në Gjykatën e Prishtinës, këtu e kam parë se çdo gjë ishte në rregull, fleta poseduese ishte në emër të shitësit i njëjti ma ka prezantuar edhe dëshminë e pagesës që kishte bërë për tokë”, tha Jusaj
Ai shtoi se para kontratën e ka lidhur të avokati i familjes Kadriu, Avni Maxhuni, i cili i kishte të gjitha dokumentacionin për këtë paluejtshmëri.
‘’Që në takimin e parë jemi dakorduar që për çmimin dhe pagesën e kemi bërë në 4 këste, për këstin e parë e kam dhënë një veturë ‘’Mercedes’’ në vlerë prej 35 mijë euro, për këstin e dytë kam dhënë 5 mijë euro, për këstin e tretë kam dhënë 200 mijë euro dhe pagesën dhe këstin e fundit e kam bërë me datën 31 gusht 2012 ku kam dhënë 200 mijë euro’’, tha biznesmeni
Jusaj dëshmoi se pasi kanë përpiluar kontratën në prezencën e avokatit Avni Maxhuni dhe Muharrem Kadriut kanë shkuar në zyrën kadastrale në Prishtinë për të bartur pronën nga Muharrem Kadriu në emrin e tij.
‘’Nga momenti që unë kam bartur pronën në emër timin deri më sot asnjëherë nuk e kam shfrytëzuar se menjëherë pasi kam përpiluar planin investim dhe kam krijuar fondet për investime nga ai moment kanë filluar telefonatat se nga e ke marrë këtë pronë dhe aty kam ndërpre investimet. Pastaj në 2016 më ka thirrë EULEX-i 2 herë ku edhe kam dhënë deklaratë për mënyrën e blerjes së pronës’’ tha dëshmitari Jusaj
Kjo seancë gjyqësore vazhdoi edh dëgjimin e 5 dëshmitarëve të tjerë.
Në këtë rast gjyqësor, Azem Syla dhe 21 persona të tjerë akuzohen për krim të organizuar në tjetërsim të tokave me pronësi shoqërore në Veternik e Llapnasellë, afër Prishtinës.
Në dhjetor të vitit 2016, Azem Syla ishte deklaruar i pafajshëm.
Prokuroria Speciale më 25 tetor ngriti dy aktakuza kundër 39 personave të ndryshëm, në mesin e të cilëve është edhe ish-deputeti i PDK-së, Azem Syla.
Aktakuza e parë, e parashtruar nga një prokuror ndërkombëtar i PSRK-së, është ngritur kundër 22 të pandehurve dhe përbëhet prej 46 pikave.
Të pandehurit akuzohen për veprat penale krim i organizuar, pastrim i parave, marrje e mitës, mashtrim i rëndë, mashtrim në detyrë, nxjerrje e vendimeve gjyqësore të kundërligjshme, keqpërdorim i pozitës zyrtare, legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar dhe evazion fiskal.
Anëtarët e këtij grupi të organizuar kriminal kanë bashkëpunuar mes vete, secili me rol të caktuar, për t’i privuar Kosovës pronat shoqërore përmes veprimtarive kriminale, duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve të tjera zyrtare, mashtrimin dhe veprimeve korruptive.