Rasti ‘Toka’, Shaban Syla dhe Ljubisha Vujoviqi mbeten në paraburgim

 

Në gjykimin ndaj ish-deputetit të PDK-ës, Azem Syla dhe 16 të akuzuarëve të tjerë  për privimin e kundërligjshëm të Kosovës nga pronat shoqërore, shmangie nga tatime, shpëlarje parash, legalizim të përmbajtjes së rreme u kërkuar që të ndërpritej masa e paraburgimit ndaj të akuzuarëve Shaban Syla dhe Ljubisha Vujoviq.

Arsyeja e ndërprerjes së masës së paraburgimit sipas avokatit Agron Curri mbrojtës i të akuzuarit Shaban Sylës ishte se tani pasi u dëgjuan të gjithë dëshmitarët dhe nuk ka bazë për të qëndruar edhe më tutje në paraburgim.

Ndërsa i akuzuari Shaban Syla deklaroi se e mbështet mbrojtësin e tij dhe kërkoi nga gjykata që masën e paraburgimit t’ia zëvendësojë me arrest shtëpiak ose lajmërim në Stacionin Policor.

Ndërsa propozimit të avokatit të Shaban Sylës iu bashkëngjit edhe mbrojtësi i të akuzuarit Ljubisha Vujoviq, avokati Zhivojin Jokanoviç  i cili tha se edhe nëse ekzistojnë veprat penale për të cilat akuzohet Ljubisha Vujoviq duhet të lirohet nga paraburgimi sepse për këto vepra ka arritur parashkrimi absolut.

Ndërsa i akuzuari Ljubisha Vujoviq deklaroi se ka rast vdekje, i kishte vdekur tezja të cilën e kishte si nënë dhe nga e cila kishte trashëguar banesën.

Prokurori special Naim Abazi i kundërshtoi këto propozime duke thënë se janë të pabazuara.

Trupi gjykues në krye me gjykatësin Beqir Kalludra mori vendim me të cilin refuzoi propozimin për të liruar nga paraburgimi të akuzuarit Shaban Syla dhe Ljubisha Vujoviq dhe tha se mbetet në fuqi vendimi me të cilin iu është vazhduar masa e paraburgimit të akuzuarëve të lartcekur.

Seancat e radhës janë caktuar për datat 16, 22, 30 janar dhe 19 shkurt të vitit 2020.

Prokuroria Speciale me 25 tetor ngriti  2 aktakuza kundër 39 personave të ndryshëm në mesin e të cilëve është edhe ish deputeti Azem Syla.

Aktakuza e parë është ngritur nga një prokuror ndërkombëtar ndaj 22 personave dhe përbëhet nga 46 pikave.

Të pandehurit akuzohen për krim të organizuar, pastrim të parave, marrje të mitos, mashtrim të rëndë, mashtrim në detyrë, keqpërdorim të detyrës, nxjerrje të kundërligjshme të vendimeve gjyqësore, legalizim të përmbajtjes së rreme dhe evazion fiskal.

Gjykimi ndaj Azem Sylës: Si pagoi biznesmeni pejan 440 mijë për tokë?

.