Foto: Kallxo.com

Pronari i HIB Petrol dëshmon në gjykimin e Azem Sylës për blerjen e tokave në Çagllavicë

Në gjykimin ndaj ish deputetit të PDK-së Azem Sylës dhe të akuzuarve të tjerë për privimin e kundërligjshëm të Kosovës nga pronat shoqërore, krim të organizuar, falsifikim vendimesh gjyqësore, shmangie nga tatimi, të mërkurën është dëgjuar në gjykatë dëshmia e Kujtim Bucaliut, pronar i kompanisë së derivateve të naftës HIB Petrol.

Ai ka folur në seancë për mënyrën se si kjo kompani i ka blerë tokat në Çagllavicë.

“Në Çagllavicë kam 10-15 parcela tokë me sipërfaqe prej 7-8 hektarë, secilën prej këtyre parcelave e kam blerë veç e veç, nuk më kujtohen emrat e shitësve të këtyre parcelave”, tha Kujtim Bucaliu.

“Prona e parë është blerë ku është e ndërtuar pika e karburantit Hib Petrol në vitin 2004”, shtoi ai.

“Të gjitha pronat janë blerë direkt prej pronarëve të tokave të cilët ishin serbë”, deklaroi dëshmitari Kujtim Bucaliu.

Ndonëse tha se pagesa ishte bërë përmes xhirollogarisë bankare dëshmitarit nuk iu kujtuan emrat e pronarëve dhe as çmimi që kishte paguar për parcelat e tokës.

Lidhur me këto parcela, Bucaliu tregoi se ende i ka në posedim dhe nuk ka shqetësim nga askush.

I pyetur nga prokurori se “a i njeh Ismet Tahirin, Vukashin Stevicin dhe Edvard Gashin” dëshmitari Bucaliu dha përgjigje negative.

“Personalisht nuk e njoh asnjërin prej të akuzuarve, vetëm sa i ka parë për rastin Toka këtu në seancë”, tha Kujtim Bucaliu.

https://kallxo.com/ligji/rrefimi-i-deshmitarit-qe-bleu-toke-nga-grupi-i-azem-syles/

Prokuroria Speciale më 25 tetor ngriti dy aktakuza kundër 39 personave të ndryshëm, në mesin e të cilëve është edhe ish-deputeti i PDK-së, Azem Syla.

Aktakuza e parë, e parashtruar nga një prokuror ndërkombëtar i PSRK-së, është ngritur kundër 22 të pandehurve dhe përbëhet prej 46 pikave.

Të pandehurit akuzohen për veprat penale krim i organizuar, pastrim i parave, marrje e mitës, mashtrim i rëndë, mashtrim në detyrë, nxjerrje e vendimeve gjyqësore të kundërligjshme, keqpërdorim i pozitës zyrtare, legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar dhe evazion fiskal.

Anëtarët e këtij grupi të organizuar kriminal kanë bashkëpunuar mes vete, secili me rol të caktuar, për t’i privuar Kosovës pronat shoqërore përmes veprimtarive kriminale, duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve të tjera zyrtare, mashtrimin dhe veprimeve korruptive.

KALLXO.com në vazhdimësi e ka monitoruar këtë proces gjyqësor.