Rrëfimi i Muharrem Kadriut për tokën blerë nga grupi i Azem Sylës

Azem Syla dhe 16 të akuzuarit e të tjerë për privimin e kundërligjshëm të Kosovës nga pronat shoqërore, shmangie nga tatimet, shpëlarje parash, legalizim të përmbajtjes së rreme janë ballafaquar në gjykatë më rrëfimin e dëshmitarit të fundit në rastin e njohur si ‘Toka’.

Dëshmitari Muharrem Kadriu, rrëfeu para gjykatës për tokën që kishte blerë në vitin 2006-2007 në Laplasellë, ai tregoi edhe si kishte rënë në kontakt me tani të akuzuarin Shaban Syla dhe si ishin dakorduar për çmimin e tokës.

“Kam kontaktuar numrin e telefonit në tokën që ishte për shitje në Laplasellë, aty kam komunikuar me Shaban Sylën me të cilin edhe jemi takuar në një kafene në Ulpianë, ku jemi marrë vesh për çmimin’’, tha dëshmitari Muharrem Kadriu.

Parcelën e tokës që kishte blerë në Laplasellë dëshmitari ishte në sipërfaqe prej 55 ari, ku për ari kishte paguar shumën 2 mijë e 850 euro, ndërsa në total rreth 156 mijë euro.

“Për ari kam paguar 2 mije e 850 euro, ndërsa sipërfaqja e tokës ishte rreth 55 ari që në total kam paguar 156 mijë euro përmes transferit bankar në emër të Shaban Sylës’’, tha dëshmitari Kadriu.

Poashtu dëshmitari deklaroi se gjatë takimit me Shaban Sylën para se të bënin pazar për çmimin e tokës ishte prezent edhe tani i akuzuari Shpresim Uka, por që rolin e tij në atë takim nuk e dinte.

Dëshmitari deklaroi edhe se fillimisht kishte menduar se toka me sipërfaqe prej 55 ari ishte në emër të Shaban Sylës, por kur kishin shkuar në kadastër kishte kuptuar se prona ishte në emër të një serbi të quajtur Blagojeviç dhe se Shaban Syla vetëm ishte i autorizuar për shitje e që sipas zyrtarit Izet Alshiqi çdo gjë ishte në rregull.

“Prona ishte në emër të një serbi me emrin Blagojeviç nëse nuk gaboj dhe këtë e kam kuptuar në gjykatë, por para se të shkoja në gjykatë kam menduar se kjo pronë ishte e Shabanit, por Shabani e kishte autorizimin dhe Izet Alshiqi zyrtari i gjykatës tha se çdo gjë ishte në rregull’’, tha dëshmitari Kadriu.

Tutje dëshmitari tregoi se në vitin 2012 këtë parcelë ia kishte shitur një personi me emrin ‘Ministër’ në shumë prej 405 mijë euro, plus edhe një veturë të cilën dëshmitari nuk e mbante mend sa kishte kushtuar.

“Pastaj këtë pronë ia kam shitur një personi me emrin Ministër në shumë prej 405 mijë euro plus edhe një kerr ja ka dhënë djalit, por nuk e di çfarë vlerë ka qenë’’, tha dëshmitari Kadriu.

I pyetur nga prokurori i rastit Naim Abazi se “A të ka telefonuar ndonjëherë Ministri për t`u ankuar me problemet që kanë dal lidhur me pronën, dëshmitari Muharrem Kadriu tha se: “Vetëm një herë më ka thirrë në telefon kur u zbulua se nuk kanë qenë në rregull letrat, ai më ka thënë “Muharrem unë ty të kam besu”. Unë i kam thënë “ti i ke besu letrave sikur unë dhe më s`kam dëgjuar për të, edhe sot me pa nuk e njoh’’.

Poashtu dëshmitari deklaroi se nuk kishte pasur problem as kur e kishte blerë tokën dhe as kur e kishte shitur.

Gjithashtu dëshmitari u pyet nëse ai e kishte sugjeruar blerësin e tokës Ministër Jusajn të përpilonte kontratën tek Avni Maxhuni, dëshmitari Kadriu tha se “nuk e di ai vet e ka marrë’’.

Dëshmitari në lidhje me tani të akuzuarin Avni Maxhuni deklaroi se atë  e ka njohur si avokat që merrej me kontrata.

Kujtojmë se me datën 6 dhjetor kishte dhënë dëshminë para gjykatës biznesmeni Minister Jusaj, i cili ka rrëfyer për tokën e blerë nga tani dëshmitari Muharrem Kadriu.

Gjykimi ndaj Azem Sylës: Si pagoi biznesmeni pejan 440 mijë për tokë?

Prokuroria Speciale me 25 tetor ngriti 2 aktakuza kundër 39 personave të ndryshëm në mesin e të cilëve është edhe ish deputeti Azem Syla.

Aktakuza e parë është ngritur nga një prokuror ndërkombëtar ndaj 22 personave dhe përbëhet nga 46 pikave.

Të pandehurit akuzohen për krim të organizuar, pastrim të parave, marrje të mitos, mashtrim të rëndë, mashtrim në detyrë, keqpërdorim të detyrës, nxjerrje të kundërligjshme të vendimeve gjyqësore, legalizim të përmbajtjes së rreme dhe evazion fiskal.