Seanca në rastin Toka (Arkiv). Foto: Kallxo.com

Provat e Prokurorit nuk e bindin gjykatësin në procesin ndaj Azem Sylës

Beqir Kalludra, kryetar i trupit gjykues në aferën e shpronësimeve të tokave në rrethinë të Prishtinës, ku përfshihet edhe ish deputeti i PDK-së, Azem Syla, ka kërkuar nga Prokurori i rastit, Naim Abazi, që “t’i precizojë provat” për shkak se ai si gjykatës nuk mund ta dënojë dikë me prova të cilat i ka quajtur përgjithshme e abstrakte.

Gjykimi ndaj ish deputetit Azem Syla dhe 16 të  tjerëve të akuzuar për shpronësimin e tokave shoqërore në mënyrë të kundërligjshme, shpëlarje parash e legalizim të përmbajtjes së rreme u shty për muajin e ardhshëm.

Për shkak se seanca e sotme kishte arritur në fazën ku do të administroheshin provat materiale, gjykata i kishte kërkuar prokurorit të rastit Naim Abazi që paraprakisht ta bënte precizimin e provave materiale.

Precizimi i provave materiale nënkupton individualizimin e secilës provë konkrete dhe arsyetimin e asaj prove se cilin fakt e vërteton me cilin të akuzuar lidhet dhe si e vërteton fajësinë apo pafajësinë e të akuzuarve.

Në fillim të seancës, prokurori Naim Abazi deklaroi se duke marrë parasysh që kjo lëndë është voluminoze, Prokuroria ka bërë kategorizimin e provave në disa grupe.

Sipas Abazit, provat ai i ka kategorizuar në ato që dalin nga urdhri i thirrjeve telefonikeve dhe porosive tesktuale; provat që dalin nga urdhëresa për sekuestrim; provat që dalin nga urdhri për zbulimin e të dhënave financiare për të akuzuarit; provat që dalin nga sekuestrimi i pasurisë; provat që dalin nga dosjet gjyqësore lidhur me dokumentet kadastrale dhe provat e siguruara përmes ndihmës juridike ndërkombëtare.

Abazi nisi t’i elaborojë verbalisht këto prova të kategorizuara në grupe, por u ndërpre nga propozimi i avokatit Afrim Salihu, mbrojtës i të akuzuarit Shpresim Uka, i cili kërkoi që lista e provave me shkrim  t’i dorëzohet atij dhe të gjithë mbrojtësve “për ekonomizimin e procedurës si dhe mundësinë e paraqitjes së kundërshtimeve”.

Në këtë situatë, gjykatësi i rastit Beqir Kalludra e ndërpreu seancën.

“Për hir të parimit të kontradiktoritetit, shtyhet seanca derisa  avokatët e të akuzuarve të marrin precizimin dhe arsyetimin e provave materiale e që në seancën e radhës t’i paraqesin kundërshtimet”, tha Kalludra.

E në lidhje me këtë situatë prokurori i rastit Naim Abazai tha se më 9 janar të këtij viti ia kishte dërguar në mënyrë elektronike listën e provave të precizuara kryetarit të trupit gjykues.

“E kemi menduar se gjykata këtë listë do t’ua përcjellë edhe avokatëve të të akuzuarve ashtu siç bën me procesverbale”, tha prokurori Naim Abazi.

Por gjykatësi Kalludra e kundërshtoi prokurorin Abazi.

“Prokuror, listën që e keni dërguar tek unë është dashur ta përcjellni edhe tek avokatët sepse unë nuk mund ta shpalli fajtor e as ta lirojë dikë me prova të përgjithësuara, abstrakte andaj precizimi dhe arsyetimi i provave materiale është i domosdoshëm”, tha Kalludra.

Seanca e radhës u caktua me 20 shkurt në të cilën avokatët e të akuzuarve do të mund të kundërshtojnë provat e precizuara dhe të arsyetuara nga Prokuroria.

Prokuroria Speciale me 25 tetor ngriti 2 aktakuza kundër 39 personave të ndryshëm në mesin e të cilëve është edhe ish deputeti i PDK-së dhe ish komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Azem Syla.

Aktakuza e parë është ngritur nga një prokuror ndërkombëtar ndaj 22 personave dhe përbëhet nga 46 pikave.

Të pandehurit akuzohen për krim të organizuar, pastrim të parave, marrje të mitos, mashtrim të rëndë, mashtrim në detyrë, keqpërdorim të detyrës, nxjerrje të kundërligjshme të vendimeve gjyqësore, legalizim të përmbajtjes së rreme dhe evazion fiskal.