Gjykimi në mungesë kundër të akuzuarit për krime lufte, Millovan Jovanoviq

Në Departamentin Special të Gjykatës së Prishtinës, të mërkurën, 21.02.2024, filloi gjykimi në mungesë kundër të akuzuarit për krime lufte Millovan Jovanoviq.

Ky është gjykimi i dytë në mungesë lidhur me akuza për krime lufte që u mbajt brenda një dite në Gjykatën e Prishtinës, para gjyqtarit Vesel Ismaili, me prokurorin Special Ilir Morina.

Fillimisht në seancë prezantoi avokati Fahri Sadriu, i cili ishte caktuar sipas detyrës zyrtare por që i njëjti nuk pranoi që ta mbronte të akuzuarin Jovanoviq deri në fund të gjykimit.

“Unë kam ardhur mos të jem pengesë, por këtë shqyrtim nuk mund ta përcjellë deri ne fund”- u shpreh avokati.

Pas një pauze nga Gjykata, seanca vazhdoi pasi u paraqit avokati Ljubinko Todoroviq, i cili shprehi gatishmëri për të mbrojtur të akuzuarin deri në fund të procedurës.

Tutje, prokurori Special Ilir Morina lexoi dispozitivin e aktakuzës të ngritur me 27.11.2023.

Sipas aktakuzës, gjatë luftës së fundit në Kosovë, i akuzuari Jovanoviq me anë të përdorimit të dhunës dhe veprimeve të tjera çnjerëzore ka kryer dhunë seksuale ndaj një gruaje shqiptare.

Kjo, sipas aktakuzës, kur i akuzuari ka qenë pjesëtar i forcave policore, paramilitare dhe ushtarake serbe dhe gjatë një sulmi sistematik kundër popullatës civile shqiptare.

Sipas dosjes i akuzuari këto veprime i ka kryer në bashkëkryerje me persona të tjerë të cilët janë akoma të paidentifikuar nga organet e rendit.