Gjykata Speciale në Hagë - Foto: REL/EPA-EFE

Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve: Dëshmitari pretendon se u rrah nga anëtarët e UÇK-së

Të hënën është duke vazhduar gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve, ku është duke dëgjuar dëshmitari i radhës i prokurorisë, identiteti i të cilit nuk dihet meqë është dëshmitar i mbrojtur.

Dëshmitari i sotëm e lexoi deklaratën e betimit në gjuhën shqipe, dhe tha se “më mirë e di gjuhën shqipe sesa atë serbe”- duke kërkuar që dëshminë e tij gjatë ditës së sotme ta jepte në gjuhën shqipe.

Nga përmbledhja e lexuar nga Prokuroria e Specializuar, u tha se ky dëshmitar në qershor të vitit 1999 u rrëmbye nga anëtarët e UÇK-së, dhe u dërgua në një vend në Prizren, ku kishte parë edhe anëtarë tjerë të UÇK-së dhe të ndaluar tjerë që ishin aty.

Sipas tij, në atë vend, ai ishte maltretuar, ishte marrë në pyetje dhe ishte rrahur mizorisht, ku edhe sot ai sipas prokurorisë ka pasoja në shëndetin e tij.

Përmes video-lidhjes në seancë janë Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi, kurse të akuzuarit Rexhep Selimi dhe Kadri Veseli janë prezent në sallë fizikisht.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, dhe Jakup Krasniqi po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27 shkurt 2023.

Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Gjykimi filloi më 3 prill 2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave, ndjekur nga ekipet e mbrojtjes më 4 dhe 5 prill 2023.

Në këtë çështje janë 143 viktima pjesëmarrëse. Ndërkaq, Prokuroria ka propozuar mbi 300 dëshmitarë në këtë rast.

Çështja në këtë rast po drejtohet nga gjykatësit Charls Smith III (kryesues), Christoph Barthe, Guénaël Mettraux dhe Fergal Gaynor.

Raportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.