Dëshmitari në Hagë: Ndalimi nga UÇK-ja nuk kishte të bënte me luftën
Dëshmitari i mbrojtur nga ana e Zyrës së Prokurorit të Specializuar në dëshminë e tij para Dhomave të Specializuara në Hagë, duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit mbrojtës të Hashim Thaçit, Gregory Kehoe ka deklaruar se arrestimi dhe ndalimi i tij nga pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk kishte të bënte as me këta të fundit dhe as me luftën.
“Pra, ajo se çfarë iu ndodhi juve nuk kishte lidhje as me UÇK-në as me luftën?” – e pyeti Keohe dëshmitarin.
Dëshmitari pohoi se arrestimi dhe ndalimi i tij nga UÇK-ja kishte lidhje me një konflikt ose mosmarrëveshje me një familje nga fshati i tij.
Keohe kërkoi që të vazhdohet në seancë të mbyllur për publikun, në mënyrë që të mund t’i parashtrojë pyetje të tjera dëshmitarit. Kjo kërkesë u aprovua nga trupi gjykues.
Ky dëshmitar ka filluar dëshminë para Dhomave të Specializuara në Hagë me 9 nëntor dhe po vazhdon të përgjigjet në pyetjet e ekipeve të mbrojtjes, në seancë të mbyllur për publikun. Ky është dëshmitari i 35-të në këtë çështje.
Aktakuza fillestare kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27 shkurt 2023.
Gjithashtu kundër tyre janë ngritur edhe pretendime për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.
Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.
Më 10 maj 2022, gjatë paraqitjeve të tyre, të katër të akuzuarit u vetëdeklaruan të pafajshëm lidhur me akuzat e reja në aktakuzën e ndryshuar.
Më 15 dhjetor gjykatësi i procedurës paraprake ia kaloi dosjen e çështjes trupit gjykues II. Konferenca përgatitore për gjykim u mbajt më 18 janar 2023, pasuar nga Konferenca Përgatitore e Prokurorit të Specializuar më 15 shkurt.
Gjykimi filloi më 3 prill 2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave, ndjekur nga ekipet e mbrojtjes më 4 dhe 5 prill 2023.
Në këtë çështje janë 143 viktima pjesëmarrëse.
Raportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.