Gjykimi ndaj Mustafës po mbahet në seancë private

(Vazhdimi i seancës – 14.12.2021 – 12:20)

Gjykimi ndaj Mustafës po mbahet në seancë private

Në gjykimin ndaj Salih Mustafës, të njohur në UÇK si “Komandant Cali”, sot po dëgjohet dëshmitari i dhjetë.

Marrja në pyetje e tij filloi më 13 dhjetor, kur fillimisht u përgjigj para zyrës së prokurorit të specializuar, mbrojtëses së viktimave dhe avokatit të Mustafës.

Ndërsa sot do të merret në pyetje nga trupi gjykues në seancë private.

I akuzuari Salih Mustafa seancën e sotme do ta ndjekë përmes video-linkut.

Dëshmitari i sotëm do të flasë rreth zhvarrosjes së dy kufomave dhe identifikimit të tyre.

 

(Vazhdimi i seancës – 17.11.2021 – 18:12)

Gjykimi i Salih Mustafës, dëshmitarja rrëfen për zhvarrosjen e dy viktimave

Gjatë seancës së sotme në Gjykatën Speciale në gjykimin e Salih Mustafës, i akuzuar për krime lufte, u dëgjua një dëshmitare e mbrojtur.

Pjesa më e madhe e dëshmisë së dëshmitares me shifrën W04676 ishte e mbyllur për publikun.

Në pjesën që ishte e hapur për publikun dëshmitarja përshkroi disa fotografi të prezantuara nga prokurorja Silvia Dascoli.

Sipas deklaratës së dëshmitares në fotografitë e prezantuara shihej një vendvarrim, pastaj procesi i zhvarrimit të dy kufomave, largimi i batanijeve nga kufomat.

“Kjo është fotografia e parë e identifikimit të varrezës. Kjo fotografi është bërë në fillim të procesit kur kemi shkuar aty dhe na është thënë që këtu është varri i viktimës”, tha dëshmitarja

Ajo lidhur me këtë fotografi tha se mbi këtë varr ishin të vendosura 2 degë të drurëve.

“Këto dy degë të prera të vendosura njëra mbi tjetrën e kanë kuptimin e identifikimit dhe nuk e kanë kuptimin e fshehjes së një varri sepse ka metoda të tjera për fshehjen e një  varri”, tha dëshmitarja duke shpjeguar kuptimin e këtyre degëve mbi vendvarrim.

Në foton e dytë  dëshmitarja tha se është procesi i hapjes së varrit.

Në foton e tretë dëshmitarja tha se është procesi kur e kanë hequr batanijen prej trupit të viktimës.

“Këtu është procesi kur e kemi hequr qeben nga trupi i viktimës me të cilën ishte e mbuluar”, tha ajo.

“Qebja ishte me ngjyrë të kaltër dhe ishte e kalbur”, shtoi ajo.

Tutje dëshmitarja deklaroi se pasi e kishte identifikuar mjaftueshëm kufomën kishte kërkuar nga personat e tjerë të mos e tërhiqnin më shumë batanijen për shkak se aty kishte edhe një kufomë tjetër.

“Në momentin kur është identifikuar komplet viktima kam kërkuar që mos me u shplu ma shumë viktimën  sepse ka qenë edhe një person tjetër i varrosur pranë tij”, tha ajo.

Tutje dëshmitarja tregoi se kufoma e dytë ishte gjetur në anën e djathtë pranë kufomës së parë.

“Kufoma e dytë është gjetur nga ana e djathtë e kufomës së parë pasi që qebja ka qenë ende nën dhe”, tha ajo.

Tutje ajo shpjegoi se në atë vendvarrim ishte bërë vetëm identifikimi i kufomave dhe jo autopsia e tyre.

“Ka qenë procesi i identifikimit të viktimës dhe personat që kanë bërë identifikimin përmes rrobave të trupit të viktimës dhe jo autopsia”, theksoi dëshmitarja e mbrojtur.

Tutje për një fotografi tjetër dëshmitarja shpjegoi se në  njërën nga kufomat ishte një vrime të cilën s’mund ta identifikonin se nga çka ishte shkaktuar.

“Këtu është një vrimë e cila s’mund të konstatohet nga çka është shkaktuar”, tha dëshmitarja.

Tutje dëshmitarja tha se shenjat në kufoma nuk ka mundur t’i identifikojë pasi që kufomat ishin të dekompozuara.

“Nuk kam mujtë me identifiku sepse kufoma ka qenë në proces të dekompozimit”, tha ajo.

https://kallxo.com/lajm/gjykimi-ndaj-salih-mustafes-deshmitari-na-kane-dhene-nje-taz-me-supe-dhe-buke-vendi-ku-flinim-kishte-jashteqitje-te-kafsheve/

www.kallxo.com