Gjykimi i gjyqtarit Rafet Ismaili, dëshmitari thotë se i dha disa herë para për lëndën e tij

Në gjykimin ndaj gjykatësit Rafet Ismaili dhe policit Blerim Gashi, të cilët akuzohen për ushtrim ndikimi, ka vazhduar të dëgjohet në cilësinë e dëshmitarit, i dëmtuari në këtë rast, Florim Zekaj.

Kujtojmë se në seancën e kaluar të datës 2 tetor 2020 dëshmia e tij pati mbetur në gjysmë për arsye se i njëjti kishte deklaruar se ndihet nën presion dhe është i kërcënuar.

Në pyetjet të prokurorit Dren Paca ai ka deklaruar se nga momenti që kishte shkuar Policia për ta arrestuar ka qenë në kontakt me të akuzuarin, në këtë rast gjyqtarin Rafet Ismaili.

“E kam thirrë në telefon dhe kam lyp ndihmë prej tij. Edhe gjatë gjithë qasaj kohe që kam nejt në polici, kam qenë në arrest prej orës 7 ose 8 të mëngjesit nuk di saktë, deri në ora 12:00 të ditës. Vazhdimisht sa jam kanë në stacion policor dhe gjatë rrugës kam kontaktu me Rafetin. Sipas tij, u kanë rrugës tu shku te avokati im Ruzhdi Maloku, në Vushtrri, ku edhe avokati ma ka konfirmu se është duke e prit gjyqtarin Rafetin, për me bo një kërkesë”,tha Zekaj.

Më pas u pyet nga prokurori se si kanë arritur ta lëshojnë në çfarë forme apo mënyre nga burgu.

“Sipas Rafetit ka thënë që e ka bërë kërkesën avokati jem se lënda jem është në mbrojtje të ligjshmërisë dhe se është diçka me ligj dhe që e njeh kryetarin e gjykatës, që u kanë punëtor i tij, Rafeti është i qasaj dege dhe me intervenimin e tij mu ka ndërpre burgimi”, u përgjigj dëshmitari Zekaj.

Kurse për të akuzuarin Blerim Gashi, ai deklaroi se i ka ndihmuar në polici që mos ta dërgojnë menjëherë me urdhëresë për vuajtje të dënimit dhe i ka mundësuar që të zgjatet kjo procedurë.

“Edhe mendimi i Blerimit u kanë që Rafeti më ka ndihmuar”, ka shtuar ai.

Tutje dëshmitari ka treguar se gjatë gjithë kohës sa ishte në stacion policor kishe biseduar me dy të akuzuarit.

“Deri sa kam qenë në polici, unë e kam pasë telefonin tim, të cilin përveç se e kam shfrytëzu vet, të njëjtin ia kam dhënë edhe një polici nga Istogu që emrin nuk ia di dhe me telefon timin ka biseduar edhe me Rafetin edhe Blerimin. Unë si kam ni, veç policin përballë kanë insistu mos me m’çu në Dubravë se është parregullsi, ka met një urdhëresë e vjetër në gjykatë, mbrojtja e ligjshmërisë nuk ka marrë vendim dhe ka me ardh qaj vendimi Mitrovicë. Me zhagit mos me çu n’gjykatë, se është rrugës tu shku te Kabashiqi me lëshu qat urdhëresë”, ka thënë dëshmitari Zekaj.

Kurse prokurori Dren Paca ia lexoi një pjesë të bisedës të transkriptuar të datës 13 shtator 2019, ku është zhvilluar biseda në mes të dëshmitarit Zekaj dhe Rafet Ismailit, ku thuhet: “U ba, dëgjo, unë 1 mijë e 500 si t’i kam dhanë, t’i dha qysh të kam thënë edhe 5 mijë a 10 mijë”. Dhe kjo që u tha nga prokurori më pas u konfirmua nga dëshmitari.

Më pas dëshmitari Zekaj ka treguar shumat  që i janë kërkuar për t’i ndihmuar.

“Cili ka dasht e ka shpreh vullnetin me m’ndihmu me një shumë më të vogël e jo si shuma që është kërku 140 mijë, 180 mijë, 200 mijë.  Sipas gjyqtarit, ato mjete është dasht me ja dhanë dikujt tjetër, jo Rafetit, me gjetë dikon tjetër, që me ma pak pare me kry punë.  Dhe kam treguar që kam mundësi deri 20 mijë me i dhanë për mos me shku në burg”, tha Zekaj.

Më pas dëshmitari tregoi se sa para i ka dhënë edhe të akuzuarit tjetër Blerim Gashit.

“Nja dy- tre herë i kam dhënë si hua dhe i kam qit prej llogarisë teme tek e tij. Nuk më kujtohet saktë, 500, 300. Por, nëse o fjala për këtë 800 apo 900 apo 1000 e fundit, ato janë kanë të policisë së krimeve ekonomike me ja dhënë për me m’ndihmu rreth landës teme. Veç u kanë në rrjedha edhe Blerimi, për me gjet ni lidhje për mu kry landa jeme. Me m’ndihmu në Gjykatë Supreme a Apel, me qat avokatin, ja harrova emrin”, tha Zekaj.

Kurse dëshmitari Zekaj tha se të akuzuarit Ismaili i kishte ofruar shuma të ndryshme dhe nuk i ka marrë, ndërsa një ditë Ismaili i kishte kërkuar vetë 1 mijë e 500 euro për të shlyer një kredi.

“Mi ka refuzu derisa te gjen dikon tjetër. Normal që për pare, unë prej Istogu, s’kemi pasë kurrfarë lidhje përveç që na ka lidh qikjo puna jeme e gjyqësisë. Nashta është turp që po foli, kur është prezantuar si gjyqtar s’e kam besu, derisa ma kallxoi ID, kam menu që është ndonjë mashtrues. Më ka tregu ID që është gjyqtar penalist. Më ka lyp edhe vetë pare. Nuk ka ndodh që më ka lyp njëherë, ka lyp 2 -3 herë, herë si huazim, herë me pagu vetë një kredi”, shtoi Zekaj.

Më pas dëshmitari Zekaj ka treguar se me gjyqtarët me të cilët e kishte lënë të takohej në një restaurant të njëjtit nuk kishin ardhur në vendin e caktuar.

“Asnjë gjyqtar nuk është ardh në restorant. Rafeti ka nejt me një restoran në Mitrovicë. Unë me Skenderin i kemi shku në Mitrovicë, rrugën e Beogradit, ku aj gjyqtari ish kanë tu kosit bari. Ju ka afru Skenderi, ka bisedu me to, unë jo dhe më tha është e diel, pushim, koka tu e kry barin. Sot nuk po munet me ardh, vjen naj ditë tjetër, ka me na ndihmu, jo për mjete po me ja ble do tesha 3 -4 mijë euro edhe me çu në deti në Shqipni. Afër asaj, m’i ofru komoditet me një femër, jo me gruan, po dikë tjetër”, ka thënë dëshmitari.

Kurse sipas dëshmitarit i akuzuari Ismaili nuk ka shkuar me të dhe Skenderin te shtëpia e gjyqtarit, por ka qenë propozimi i tij që të takoheshin me gjyqtarët.

Kurse dëshmitari Zekaj shtoi se para se të merrej vendimi ndaj tij, i akuzuari Rafet Ismaili i kishte thënë se do të bisedoj me një gjyqtar, Burim Ademi, nëse nuk gaboj në emër, e me trup gjykues dhe qysh atëherë i ka  thënë se ka shkelje ,se vepra është bërë  në Serbi dhe as nuk do të dënohet dhe do shpallem i pafajshëm.

Dëshmitari sërish ka shtuar se në mënyrë direkte i akuzuari Ismaili  nuk i ka kërkuar 1 mijë e 500 euro.

“Unë 100% kam qenë i bindur se e ka në mënyrë njerëzore dhe shumë simbolike, një shumë sa më të vogël”, ka thënë dëshmitari.

Ndërkaq, duke u përgjigjur në pyetjet e Ramë Gashit, avokatit të Blerim Gashit, dëshmitari tha se kishte bërë marrëveshje me Blerim Gashin që t’ia rregullonte pensionin e prindit në Gjermani.

Kurse seanca me pas ka vazhduar edhe me dëgjimin e dy dëshmitareve të propozuara nga ana e Prokurorisë.

Kujtojmë se pas ngritjes së aktakuzës, gjykatësi Rafet Ismaili është pezulluar nga puna dhe merr pagën me zbritje prej 50%.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, i akuzuari Ismaili më 28 gusht 2019 në veturën e dëshmitarit F. Z. derisa ishin duke udhëtuar nga Skenderaj për në Prishtinë ka marrë 1,500 euro me qëllim që të ushtrojë ndikim te kryetari i Gjykatës së Mitrovicës.

Gjithnjë sipas Prokurorisë, i akuzuari Ismaili kishte për qëllim të ushtrojë ndikim te kreu i Gjykatës së Mitrovicës për të marrë vendim për shtyrjen e ekzekutimit të dënimit me burgim prej 4 vjet e 10 muaj ndaj dëshmitarit F. Z.

Ndërsa për ish-zyrtarin policor Blerim Gashi, Prokuroria thotë se më 28 gusht 2019, duke qenë në cilësinë e personit zyrtar, kishte marrë shumën prej 1,000 euro nga dëshmitari F.Z. me pretendimin se i njëjti është në gjendje të ushtrojë ndikim te gjykatësit e Gjykatës Supreme.