Shpallja e aktgjykimit për gjyqtarin Rafet Ismaili dhe policin, Blerim Gashi FOTO- Elona Sejdullahu/KALLXO.com

Shpallen fajtorë gjyqtari Rafet Ismaili dhe polici Blerim Gashi - VIDEO

Gjyqtari Rafet Ismaili dhe polici Blerim Gashi, të cilët akuzoheshin për ushtrim ndikimi janë shpallur fajtorë sot në Gjykatën e Prishtinës.

Ismaili u dënua me 2 vite e 6 muaj burgim dhe dënim me gjobë prej 2000 euro. Të njëjtin dënim e mori edhe i akuzuari Blerim Gashi.

Të akuzuarve do t’i llogaritet qëndrimi në paraburgim dhe arrest shtëpiak.

Të akuzuarve iu shqiptua poashtu dënim plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej 2 vitesh pas mbajtjes së dënimit.

Të akuzuarit obligohen, që buxhetit të Republikës së Kosovës. Përkatësisht, Rafet Ismaili do ta kthejë shumën prej 1500 euro dhe Blerim Gashi shumën prej 1000 euro. Mjete këto të fondit të Policisë së Kosovës, të cilat janë shfrytëzuar me rastin e simulimit të veprës penale.

Kujtojmë se pas ngritjes së aktakuzës, gjykatësi Rafet Ismaili është pezulluar nga puna dhe merrte pagën me zbritje prej 50%.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, i akuzuari Ismaili më 28 gusht 2019 në veturën e dëshmitarit F.Z. derisa ishin duke udhëtuar nga Skenderaj për në Prishtinë ka marrë 1,500 euro me qëllim që të ushtrojë ndikim te kryetari i Gjykatës së Mitrovicës.

Gjithnjë sipas Prokurorisë, i akuzuari Ismaili kishte për qëllim të ushtrojë ndikim te kreu i Gjykatës së Mitrovicës për të marrë vendim për shtyrjen e ekzekutimit të dënimit me burgim prej 4 vjet e 10 muaj ndaj dëshmitarit F.Z.

Ndërsa për ish-zyrtarin policor Blerim Gashi, Prokuroria thotë se më 28 gusht 2019, duke qenë në cilësinë e personit zyrtar, kishte marrë shumën prej 1,000 euro nga dëshmitari F. Z. me pretendimin se i njëjti është në gjendje të ushtrojë ndikim te gjykatësit e Gjykatës Supreme.