Foto: KALLXO.com

Gjykimi i dy zyrtarëve të Suharekës, dëshmitari: Objekti është rrënuar nga Inspektorati

Ish -drejtoresha e Inspeksionit e Komunës së Suharekës, Jehona Rrafshi-Lumi dhe inspektori i ndërtimit, Hafir Maliqaj, të premten janë përballur me dëshminë e investitorit, Blerim Gashi.

Jehona Rrafshi-Lumi nga Prokuroria po akuzohet se nuk ka ndërmarrë veprime për rrënimin e objektit, ndërkaq inspektori Maliqaj pos kësaj akuzohet se nuk e ka penguar një investitor që të vazhdojë ndërtimin e një objekti, ndonëse i njëjti nuk posedonte leje ndërtimi.

Dëshmitari Blerim Gashi përpara Gjykatës së Prizrenit ka pohuar se objekti i ndërtuar në Shirokë të Suharekës i është rrënuar nga Inspektoratit.

Ai ka pohuar se objektin e ka ndërtuar pa leje.

“Në kohën kur e kam nisë objektin ka qenë koha e pandemisë. Unë si investitor për këtë objekt nuk kam mundur të pajisem me leje ndërtimore. Prandaj, kjo ka qenë arsyeja kur më 29 maj 2020, ka ardhur deri tek rrënimi i objektit nga ana e inspektoratit”-tha dëshmitari Gashi.

Pavarësisht rrënimit, Gashi ka sqaruar se ka ndërmarr veprimet që përsëri ta ri-ndërtoj objektin.

“Pas datës 29 maj 2020, ne kemi vazhduar ndërtimin e objektit, pasi që kemi qenë të interesuar ta ndërtojmë të njëjtin dhe njëkohësisht të sigurojmë lejen e ndërtimit”-pohoi dëshmitari.

Ai tha se për këtë periudhë disa herë ka qenë inspektorati duke i lënë edhe shkresa.

Blerim Gashi ka argumentuar se objektin ku e ka ndërtuar ka qenë në pronën e “Agro Kosova Holding”, për të cilën ka pasur kontratë.

“Unë kam pasur marrëveshje, konkretisht kontratë për shfrytëzim me kompaninë “Agro Kosova-Holding”. Afati i shfrytëzimit ka qenë 20+20, që nënkupton 20 vite me mundësi vazhdimi edhe për 20 vite tjera”-tha ai.

Ndërkaq në fund Gashi ka deklaruar se për objektin pa leje dhe heqjen e shiritave ai është dënuar nga Gjykata e Suharekës.

Seanca e radhës u caktua për më 21 nëntor 2022.

Jehona Rrafshi- Lumi po akuzohet nga Prokuroria se duke shfrytëzuar autoritetin zyrtar, në cilësinë e drejtoreshës së Drejtorisë së Inspeksionit të Komunës së Suharekës pasi që paraprakisht kishte nxjerrë një konkluzion lidhur me disa parcela kadastrale pronë e të dëmtuarës “Agro Kosova-Holding”, më pastaj në kundërshtim me frymën e konkluzionit nuk e kishte rrënuar në tërësi objektin afarist të investitorit B. G., të ndërtuar pa leje.

Ndërsa Hafir Maliqajn, Prokuroria po e akuzon se si person zyrtar – inspektor i ndërtimtarisë, nuk i ka ndërmarrë masat ligjore për pengimin e rindërtimit të objektit afarist në lagjen Shirokë të Suharekës, objekt ky i ndërtuar nga investitori B. G., që ishte pronë e të dëmtuarës “Agro Kosova – Holding”.

Sipas Prokurorisë, Maliqaj ishte mjaftuar vetëm me nxjerrjen me vonesë të një urdhër-ekzekutimi të lëshuar nga drejtoresha e Drejtorisë së Inspeksionit, vetëm pasi kishte përfunduar ndërtimi, me ç ‘rast të dëmtuarës “Agro Kosova – Holding” i ka shkaktuar dëme materiale apo ia ka shkelur të drejtat e saja.

Pika tjetër e aktakuzës së Prokurorisë e ngarkon Maliqajn se nuk ka vepruar sipas urdhrit të lëshuar nga vetë ai edhe në një rast tjetër që e obligonte investitorin Xh. R., pronar i objektit afarist–montazh “Viva Fresh”, në fshatin Reshtan të Suharekës, të pajisej me leje ndërtimi në afatin prej 15 ditësh.

Prokuroria pretendon se Maliqaj nuk e ka penguar investitorin Xh.R., të vazhdojë ndërtimin e mëtutjeshëm, duke dalë me vonesë në vend të ngjarjes dhe duke mos vepruar sipas procedurës për rrëzimin e ndërtimit pa leje, por që të njëjtit i ka dhënë afat shtesë që të pajiset me leje ndërtimi, e kësaj here më gjatë se 30 ditë.

Veprime me anë të të cilave Prokuroria pretendon se i akuzuari Maliqaj i ka shkaktuar dëme materiale Komunës së Suharekës.

Shkrimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.