Pas rigjykimit ulet dënimi për korrupsion ndaj ish-gjyqtarit Rafet Ismaili dhe ish-policit Blerim Gashi

Ish-gjyqtari Rafet Ismaili dhe ish-polici Blerim Gashi janë dënuar me nga 20 muaj burg dhe me nga 1 mijë euro gjobë për korrupsion.

Ata u shpallën fajtorë për veprën penale të “Ushtrimit të ndikimit”, e cila është njëra nga veprat penale të korrupsionit.

Përpos dënimit me burgim, ndaj tyre u shqiptua edhe dënimi plotësues i cili ua pamundëson punën në Administratën Publike për dy vite.

“Ish-gjykatësi i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, dega në Skenderaj, Rafet Ismajli dhe ish-polici Blerim Gashi janë dënuar me 20 muaj burgim dhe me nga 1 mijë euro gjobë, si dhe ndalim i ushtrimit të funksioneve në Administratën Publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej dy vitesh pas ekzekutimit apo vuajtjes së dënimit”, tha gjykatësja Valbona Musliu-Selimaj për KALLXO.com.

Mirëpo dënim më i lartë ndaj tyre ishte shënuar në vitin 2020, kur të njëjtit ishin dënuar me nga 2 vite e gjashtë muaj burgim, mirëpo rasti ishte prishur dhe kthyer në rigjykim.

Ish-gjyqtari Ismaili u shpall fajtor nga Gjykata e Prishtinës në lidhje me akuzën se kishte marrë 1,500 euro nga dëshmitari F.Z. me qëllim që të ndikonte në kryetarin e Gjykatës së Mitrovicës për shtyrjen e ekzekutimit të dënimit.

Ndërsa ish-polici Blerim Gashi u dënua pasi Gjykata vlerësoi se i kishte marrë 1,000 euro nga i njëjti dëshmitar me qëllim që të ndikonte tek një gjyqtar i Gjykatës Supreme.

Pas këtyre dënimeve, avokati Naim Rudari paralajmëroj ankesë në gjykatën e Apelit.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, i akuzuari Ismaili më 28 gusht 2019 në veturën e dëshmitarit F.Z. derisa ishin duke udhëtuar nga Skenderaj për në Prishtinë ka marrë 1,500 euro me qëllim që të ushtrojë ndikim te kryetari i Gjykatës së Mitrovicës.

Gjithnjë sipas Prokurorisë, i akuzuari Ismaili kishte për qëllim të ushtrojë ndikim te kreu i Gjykatës së Mitrovicës për të marrë vendim për shtyrjen e ekzekutimit të dënimit me burgim prej 4 vjet e 10 muaj ndaj dëshmitarit F.Z.

Ndërsa për ish-zyrtarin policor Blerim Gashi, Prokuroria thotë se më 28 gusht 2019, duke qenë në cilësinë e personit zyrtar, kishte marrë shumën prej 1,000 euro nga dëshmitari F. Z. me pretendimin se i njëjti është në gjendje të ushtrojë ndikim te gjykatësit e Gjykatës Supreme.

Shpallen fajtorë gjyqtari Rafet Ismaili dhe polici Blerim Gashi – VIDEO