Mbrojtja: Gjykatësi Ismaili dhe polici Gashi në këtë gjyq janë viktima, Policia i përdori për të zënë “peshqit e mëdhenj”

Në gjykimin ndaj gjyqtarit Rafet Ismaili dhe policit Blerim Gashi, të cilët akuzohen për ushtrim ndikimi, prokuroria kërkon dënim ndërsa mbrojtja lirim nga akuza.

Rafet Ismaili në fjalën përfundimtare para Gjykatës tha se për shumën 1,500 euro të cilën e akuzon Prokuroria, të njëjtën e ka marrë nga Florim Zekaj për shlyerjen e një kredie, të cilat para sipas tij ka pasur t’i kthejë deri në fund të vitit 2019.

“Thjesht siç qëndron edhe në përgjime i njëjti disa herë dhe atë ditë më ka ofruar shumat e parave por i kam thënë në mënyrë kategorike se nuk marr asnjë para që lidhet me kryerjen e ndonjë urdhri, thjesht i kam marrë hua për shlyerjen e një kredie. Dhe nëse vetëm edhe 1 euro e kam kërkuar si shpërblim, e bart përgjegjësinë penale mbi mua”, tha i akuzuari Rafet Ismaili.

Kurse Ismaili e pranoi se ka bërë shkelje etike përderisa është shoqëruar me të dëmtuarin Florim Zekaj dhe Gjykatës i propozoi ta lirojë nga akuza në mungesë të provave.

“Për shkelje etike e pranoj për gabimin tim, nuk është dashtë me ndejt me të, por kam ndejt si shok asgjë me tepër”, tha i akuzuari Ismaili.

Kurse prokurori Milot Krasniqi, i cili njëherë ishte vetëm zëvendësues në këtë seancë, kërkoi nga Gjykata që dy të akuzuarit në këtë rast t’i shpallë fajtorë dhe të njëjtëve t’u shqiptohet edhe dënimi plotësuese  që është ndalimi i ushtrimit të funksionit në administratën publike pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Tutje i njëjti tha se nga provat e administruara në shqyrtimin gjyqësor është vërtetuar pa dyshim se të akuzuarit veç e veç kanë kryer veprën penale për të cilën akuzohen.

Kurse mbrojtësi i të akuzuarit Ismaili, avokati Tahir Rrecaj, në fjalën përfundimtare deklaroi se e gjitha aktakuza mbështetet në vlerësimin e gabuar dhe fakteve, ku sipas tij Prokuroria ka marrë për bazë vetëm ato prova qe shkojnë në favor të aktakuzës dhe jo provat shfajësuese që shkojnë në favor të të akuzuarve.

“Rafet Isamili nuk e ka kryer veprën penale për çka akuzohet. Gjatë marrjes në pyetje në mënyrë të drejtpërdrejtë, Florim Zekaj si dëshmitar së paku pesë herë ka konfirmuar se Rafeti i ka marrë 500 euro hua dhe këtë e ka konfirmuar edhe pesë herë tjera gjatë marrjes së tërthortë në pyetje nga ana ime”, tha avokati.

Edhe avokati Rrecaj tha se i mbrojturi i tij ato para nga Zekaj i ka marrë për shlyerjen e një kredie, të cilën ka pasur t’ia kthejë.

“Ky fakt gjatë shqyrtimit gjyqësor u sqarua dhe u vërtetua se paratë që i kanë marrë, në vlerë prej 1,500, Rafeti i ka marrë huazim me afat deri në fund të vitit dhe vetë dëshmitari ka treguar se jena ra në burg dhe ai borxh nuk ka mundur t’i paguhet se edhe Rafeti ka ra në burg”, tha avokati Rrecaj.

Më pas i njëjti shtoi se dy të akuzuarit janë viktima në këtë rast të cilët i ka përdorur Policia.

“Unë konsideroj se Rafet Isamili dhe Blerimi Gashi në këtë proces janë viktima të cilat Polica i ka përdorur si karrem siç thotë edhe dëshmitari Zekaj për t’i kapur peshqit e mëdhenj”, tha avokati Rrecaj.

Kurse i njëjti nga Gjykata kërkoi që të sjellë aktgjykim lirues në mungesë të provave.

Ndërsa kur i erdhi radha mbrojtësit të të akuzuarit Blerim Gashit, avokatit Ramë Gashi, ta japë fjalën përfundimtare, seanca u ndërpre  dhe u shty për ditën e nesërme, me arsyetimin se anëtari i trupit gjykues, gjykatësi Musa Kongjeli, kishte një lidhje virtuale në Zoom me OSBE-në.

Ndryshe të akuzuarit në seancën e kaluar kishin shfrytëzuar të drejtën të mbrohen në heshtje.

Kujtojmë se pas ngritjes së aktakuzës, gjykatësi Rafet Ismaili është pezulluar nga puna dhe merr pagën me zbritje prej 50%.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, i akuzuari Ismaili më 28 gusht 2019 në veturën e dëshmitarit F.Z. derisa ishin duke udhëtuar nga Skenderaj për në Prishtinë ka marrë 1,500 euro me qëllim që të ushtrojë ndikim te kryetari i Gjykatës së Mitrovicës.

Gjithnjë sipas Prokurorisë, i akuzuari Ismaili kishte për qëllim të ushtrojë ndikim te kreu i Gjykatës së Mitrovicës për të marrë vendim për shtyrjen e ekzekutimit të dënimit me burgim prej 4 vjet e 10 muaj ndaj dëshmitarit F.Z.

Ndërsa për ish-zyrtarin policor Blerim Gashi, Prokuroria thotë se më 28 gusht 2019, duke qenë në cilësinë e personit zyrtar, kishte marrë shumën prej 1,000 euro nga dëshmitari F. Z. me pretendimin se i njëjti është në gjendje të ushtrojë ndikim te gjykatësit e Gjykatës Supreme.