Nuk mbahet seanca ndaj gjyqtarit Rafet Ismaili

Mungesa e gjyqtares Valbona Selimajt ka bërë që seanca ndaj gjyqtarit Rafet Ismaili të akuzuar për ushtrim ndikimi të dështojë

Nga gjykata kanë njoftuar se palët paraprakisht ishin njoftuar për mos mbajtjen e seancës pasi kryetarja e trupit gjykues, Valbona Selimaj kishte probleme  shëndetësore.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, i akuzuari Ismaili më 28 gusht 2019 në veturën e dëshmitarit F. Z. derisa ishin duke udhëtuar nga Skenderaj për në Prishtinë ka marrë 1,500 euro me qëllim që të ushtrojë ndikim te kryetari i Gjykatës së Mitrovicës.

Gjithnjë sipas Prokurorisë, i akuzuari Ismaili kishte për qëllim të ushtrojë ndikim te kreu i Gjykatës së Mitrovicës për të marrë vendim për shtyrjen e ekzekutimit të dënimit me burgim prej 4 vjet e 10 muaj ndaj dëshmitarit F. Z.

Ndërsa për ish-zyrtarin policor Blerim Gashi, Prokuroria thotë se më 28 gusht 2019, duke qenë në cilësinë e personit zyrtar, kishte marrë shumën prej 1,000 euro nga dëshmitari F.Z. me pretendimin se i njëjti është në gjendje të ushtrojë ndikim te gjykatësit e Gjykatës Supreme.

Kujtojmë se pas ngritjes së aktakuzës, gjykatësi Rafet Ismaili është pezulluar nga puna dhe merr pagën me zbritje prej 50%.