Dëshmitari: Më janë kërkuar para deri në 200 mijë euro nga gjyqtarë e prokurorë

Në gjykimin ndaj gjykatësit Rafet Ismaili dhe policit Blerim Gashi, të cilët akuzohen për veprën penale ushtrim ndikimi, është dëgjuar dëshmitari Florim Zekaj.

Në pyetjen e prokurorit Dren Paca, se pse ndodhet në burgim, dëshmitari Zekaj u përgjigj se ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë me 4 vite e 10 muaj burgim, për një vepër penale të kryer në shtetin e Serbisë.

“Unë në burg jam për një vepër që është e kryer në vitin 2007, jam kanë i arrestuar në vitin 2013, kam mbajtur paraburgim një vit, unë mendojë që jam i pafajshëm edhe pse jam në vuajtje të dënimit. Dhe vendimi është i Mitrovicës për një vepër penale të kryer në Serbi, dhe për këtë vepër dënimin e vuaj në Kosovë, për të njëjtën vepër jam shpallur i pafajshëm në Serbi, ndërsa në Kosovë për të njëjtën vepër jam dënuar me 4 vjet e 10 muaj burgim, nga Gjykata e Mitrovicës”, tha dëshmitari.

Dëshmitari Zekaj, ka deklaruar se atij i ishin kërkuar para në shumë prej 30 mijë deri në 200 mijë euro, nga gjyqtarë e prokurorë për t’ia mbyllur lëndën e tij ku ai tashmë është në vuajte të dënimit.

“Gjyqtarët e prokurorët më kanë lyp shuma prej 30 mijë deri në 200 mijë euro, unë prej stresit kam shkuar dhe jam konsultu me avokatin tim, ai më ka thënë ‘ma se janë sene të këqija’, pastaj kom lyp ndihmë te kundër-korrupsioni, te Shaip Havolli. Ai nuk iu ka besuar fjalëve të mia që po mi lypin ato pare dhe i njëjti më ka thanë thirri ti në telefon e lëshojë në interfon ta dëgjoj edhe unë, pastaj kur i ka dëgjuar u bind edhe ai dhe më ka drejtuar te krimet ekonomike”, tha dëshmitari  Florim Zekaj.

Tutje i njëjti ka përmendur edhe emrin e gjyqtarit të Gjykatës së Apelit, Xhevdet Abazi, ku ka treguar se Abazi i kishte kërkuar atij të holla për t’ia kryer lëndën, pasi lënda e tij ishte kthyer nga Gjykata Supreme në atë të Apelit.

“Prej gjyqtarit që ia di emrin u kon Xhevdet Abazi, atëherë kur e kom pas lëndën në Apel, atëherë m`i ka kërku paret, ndërkohë që lëndën e ka pas vet në Apel. Xhevdet Abazin e kom njohur edhe ma herët, prej rastit kur Supremja e ka kthyer rastin në Apel, unë e kom njohur para se me shku në polici, por herën e parë kur u vendos lënda në Apel se kom njoftë”, shtoi dëshmitari.

Më pas dëshmitari tha se me policinë ishte dakorduar, që ai të bisedonte me gjyqtarin Xhevdet Abazi, për t`u takuar me të dhe me ia dhënë të hollat.

“Policia më kanë thirr mbas një jave më kanë thanë  i kemi përgatit mjetet, e kemi lan terminin me Xhevdet Abazin që të takohemi në zyrën e tij në Gjykatë. Jam ardhur me paratë dhe me përgjime në Gjykatë që të takohem me të, dhe roja e ka thirr i ka thanë që pot lyp Florim Zekaj,  pastaj roja më ka thanë është nxan e ka një mbledhje…, përmes sigurimit i ka thanë që me shku në ora 13:00, masnej jemi shku në ora 13:00, na ka bo terminin për të nesërmen sepse ish kon t`u mbajt gjykim atë ditë. Të nesërmen kemi vepru njëjtë nëpërmes rojës edhe Visari, polici hetues u kon aty me mua por kur kemi shku atë ditë nuk na ka pranu, sigurisht e ka njoftu dikush mos i merr paret se janë pare të policisë, prej atëherë kurrë ma se kom pa”, tha dëshmitari.

Dëshmitari Florim Zekaj, ka përmendur edhe emrin e prokurorit special Haki Gecaj, sipas tij prokurori i kishte kërkuar atij shumën prej 50 mijë euro, nëpërmjet një personi tjetër të quajtur Bekim Maliqi, për mos ngritjen e aktakuzës ndaj tij.

“Për mos me mu ngrit aktakuza, Haki Gecaj m`i ka lyp 50 mijë euro, jo mua direkt po përmes Bekim Maliqit, që është dëshmitar në lëndën time, sikur unë që jam dëshmitar këtu, unë i kom bo mjetet u kanë aktakuza hala pa u ngrit unë jam kon i liruar nga paraburgimi pasi pata mbajt një vit paraburgim”, tha ai.

Tutje dëshmitari tregoi se edhe në banesë i kishte shkuar prokurorit Gecaj së bashku me Bekim Maliqin.

“Jam taku me Bekim Maliqin, Haki Gecit i kemi shku te banesa në lagjen “Mat”, ku i shkrujke në derë Haki Gecaj, i ka ra ziles Bekimi, ka dal prokurori, mua nuk më kanë lon mrena me hy. Bekimi ka hy mrena unë kam prit te dera dhjetë minuta, Bekimi ka tentu me mi marrë paret gjoja janë për prokurorin, unë nuk ia dhashë se si besojsha pa ia dhanë prokurorit direkt”, tha dëshmitari.

Më pas dëshmitari tregoi se prokurori Gecaj ato para nuk i kishte pranuar.

“Prokurori na ka ndjek, na ka thanë mos hajdeni këtu, kush iu ka thanë me ardh, ka debatu shumë me Bekimin, unë ia kam tregu mjetet që i kom me i pa prokurori, ngase isha i interesuar me mbyll çështjen time, por prokurori na ka thanë mos t’iu shoh ma këtu”, tha Zekaj.

Pastaj dëshmitari ka treguar se ishte takuar edhe me ish-gjykatësin, në këtë rast që akuzohet Rafet Ismaili, dhe Blerim Zeken, sipas dëshmitarit Ismaili i kishte thënë që të mos jepte para për ta mbyllur rastin që ai kishte në Gjykatë, duke i premtuar se do t’i ndihmonte pa para që lënda të kthehet në rishqyrtim në Gjykatën Themelore të Mitrovicës.

“Gjyqtari Rafet Ismajli më thojke mos u ngut me i dhanë ato pare, unë e kom studiu lëndën, e kom pa që ka shkelje esenciale, çka janë ato unë se di, ai m`thojke kemi me të ndihmu pa pare. Qysh më kujtohet mua u kanë hera e dytë që e kam taku dhe ia kam marr numrin Rafetit, kanë ardh te unë prapë me të njëjtat pretendime, mos i jep ato pare, ta gjejmë një avokat të fortë, kemi shku kemi hangër drekë, kemi bisedu rreth çështjes time, pa i dhanë ato mjete”, tha tutje dëshmitari.

Tutje dëshmitari Florim Zekaj tha se i kishte dhënë 1 mijë e 500 euro, Rafet Ismailit hua, me qëllim që gjyqtari Ismaili ta paguante një kredi që e kishte.

“Gjyqtarit i kam ofru shuma të ndryshme, si ka marrë, një ditë m`i ka kërku vet 1 mijë e 500 euro për me shly një kredi, me afat deri në vit të ri se m`i kthen, por jo për diçka tjetër, kjo është krejt në përgjime”, tha dëshmitari.

Më pas dëshmitari ka përmendur edhe emrin e kryetarit të Gjykatës Themelore në Mitrovicë.

“Rafeti më premtonte që ka me më taku me gjyqtarë që ma kryejnë punën, emri nuk më kujtohet, njani prej personave që më ka premtu Rafeti se do të ndihmoj është Kabashiqi, kryetari i Gjykatës në Mitrovicë, njoni është gjykatës i Apelit apo i Supremes”, shtoi dëshmitari.

Para Gjykatës dëshmitari Zekaj deklaroi se kishte pranuar edhe kërcënime, por ai nuk pranoi që të përmend emrin e kërcënuesit, sepse frikësohet për sigurinë e familjes së tij.

“Pyetjet që po hyjmë tash na unë jam i kërcënum, i kam katër fëmijë, me qit emrin e atij që po më kërcënon tutna për familjen tem që si gjejë të gjallë. Policinë e Prokurorinë e kam lajmëru disa herë, po sen nuk ka ndodh, unë edhe kam dhanë pare, edhe jam në vuajtje të dënimit, edhe jam i kërcënuar”, tha dëshmitari.

Më pas dëshmitari tregoi se në vazhdimësi ka pasur kërcënime nga dita që është në vuajte të dënimit.

“Kam kërcënim prej që jam në burg, veç pe tregoj realitetin, ka dy javë që e kom thirr familjen e më kanë tregu për ftesën e Gjykatës, më kanë thanë janë kanë njerëz te shpija, kqyr çka fol i njoh ata me emra e mbiemra, po s`po du m`i bo publike për hir të sigurisë së familjes, i ka inçizuar gruaja jem ata persona”, shtoi dëshmitari.

Pasi  që e dhanë mendimin e tyre mbrojtësit e të akuzuarëve lidhur me këtë që deklaroi dëshmitari, kryetarja e trupit gjykues Valbona Musliu – Selimaj, mori vendim që të ndërpritet dëshmia e dëshmitarit Florim Zekaj.

Gjykatësja Selimaj tha se krahas procesverbalit Gjykata do të përpilojë edhe një shënim zyrtar, të cilën do t’ia dërgojë prokurorisë, që t’i trajtoj deklarimet e dëshmitarit Zekaj lidhur me kërcënimet ndaj tij.

Seanca e radhës në këtë rast është caktuar për datën 26 tetor.

Kujtojmë se pas ngritjes së aktakuzës, gjykatësi Rafet Ismaili është pezulluar nga puna dhe merr pagën me zbritje prej 50%.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, i akuzuari Ismaili më 28 gusht 2019 në veturën e dëshmitarit F. Z. derisa ishin duke udhëtuar nga Skenderaj për në Prishtinë ka marrë 1,500 euro me qëllim që të ushtrojë ndikim te kryetari i Gjykatës së Mitrovicës.

Gjithnjë sipas Prokurorisë, i akuzuari Ismaili kishte për qëllim të ushtrojë ndikim te kreu i Gjykatës së Mitrovicës për të marrë vendim për shtyrjen e ekzekutimit të dënimit me burgim prej 4 vjet e 10 muaj ndaj dëshmitarit F. Z.

Ndërsa për ish-zyrtarin policor Blerim Gashi, Prokuroria thotë se më 28 gusht 2019, duke qenë në cilësinë e personit zyrtar, kishte marrë shumën prej 1,000 euro nga dëshmitari F.Z. me pretendimin se i njëjti është në gjendje të ushtrojë ndikim te gjykatësit e Gjykatës Supreme.

 

 

Gjykatësi e polici i arrestuar dalin para gjykatës, seanca po mbahet e mbylllur