Gjykatësi nga Skënderaj Rafet Ismajli edhe pse i akuzuar merr pagën 875 euro në muaj

Gjykatësi nga Skënderaj, Rafet Ismajli  po përballet me Gjykatën e Prishtinës nga marsi i këtij viti  nën akuzën e Prokurorisë Speciale  për veprën penale ushtrim ndikimi.

Pasi që ndaj tij  po zhvillohet procesi penal për keqpërdorim të detyrës zyrtare nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës jemi njoftuar se i njëjti është pezulluar nga pozita e gjyqtarit dhe merr 50% të pagës.

“Bazuar në Ligjin për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtareve dhe Prokurorëve, neni 12, paragrafi 9, ka nxjerr vendim dhe e ka pezulluar nga detyra e gjyqtarit deri në një vendim tjetër, ka pezulluar procedurën disiplinore dhe ka ndërprerë parashkrimin deri në përfundim të procedurës penale”.

Në prill  të këtij viti gjykatësi i akuzuar kishte bërë deklarimin e pasurisë në Agjencinë kundër Korrupsionit-AkK, ku  kishte deklaruar pagën prej 1 mijë e 750 euro, e që pas vendimit të KGJK-së i bie që i njëjti të marrë pagë prej 875 euro.

 

Aktakuza thotë se  gjykatësi i Gjykatës së Mitrovicës, dega në Skenderaj, akuzohet se në mënyrë të drejtpërdrejtë ka pranuar dobi pasurore.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, i akuzuari Ismaili më 28 gusht 2019 në veturën e dëshmitarit F. Z. derisa ishin duke udhëtuar nga Skenderaj për në Prishtinë ka marrë 1,500 euro me qëllim që të ushtrojë ndikim te kryetari i Gjykatës së Mitrovicës.

Gjithënjë sipas Prokurorisë, i akuzuari Ismaili kishte për qëllim të ushtrojë ndikim te kreu i Gjykatës së Mitrovicës për të marrë vendim për shtyrjen e ekzekutimit të dënimit me burgim prej 4 vjet e 10 muaj ndaj dëshmitarit F. Z.

Ndërsa për ish-zyrtarin policor Blerim Gashi, Prokuroria thotë se më 28 gusht 2019, duke qenë në cilësinë e personit zyrtar, kishte marrë dobinë pasurore në shumën prej 1,000 euro nga dëshmitari F.Z. me pretendimin se i njëjti është në gjendje të ushtrojë ndikim te gjykatësit e Gjykatës Supreme.